Sot në ambientet e hotel “Aleksandar Palace” në Shkup, kampioni olimpik në mundje, Shaban Tërstena promovoi librin e tij me titull “Rruga e kampionit olimpik”, me autor: prof.dr. Sefer Tahiri, gazetari sportiv, Reshat Ibrahimi dhe Florim Rexhepi.

Kjo libër përbëhet nga fakte interesante nga jeta e Tërstenës, ku përshkruhet karriera e tij 19 vjeçare, vështirësitë dhe sukseset në planin sportiv.

Djaloshi i cili rrugëtimin drejt piedestalit më të lartë në sport e kishte nisur nga lagja e Gazi Babës, Shaban Tërstena, arriti të gjitha sukseset e mundshme të një sportisti të rangut më të madh botëror. Në praninë e familjarëve, miqve, medieve të shumta, kolegëve dhe njerëzve sportiv, Shaban Tërstena i përkujtoi edhe një herë momentet më interesante të karrierës së një sportisti që arriti majat e suksesit.

“Ndjehem shumë mirë kur po shoh shokët e mi, sportist dhe futyra të medieve në këtë ngjarje. U rrita në një lagje të varfër, kalova një jetë të vështirë të sportistit, por më në fund ja arrita. Në Los Angjelos kishte ushqime të llojllojshme, të cilat asnjëherë nuk i shijova, por unë nuk kisha nevojë për një luks të tillë, ushqim të shtrenjtë, por para se të shkoj në Los Angjelos, duhej të dobësohem për 14 kilogram dhe e fitova medaljen e artë olimpike. Me rëndësi për mua ishte të fitoj dhe e arrita qëllimin tim”, tha Tërstena në promovimin e librit të tij.

Në këtë promovim morën pjesë më shumë se 200 mysafirë të fushave të ndryshme nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria. /Portalb.mk/