“Është e trishtueshme për demokracinë, sepse një Kuvend të tillë nuk do të mund ta prodhonte as Sllobodan Millosheviqi”, ka thënë shefi i grupit parlamentar Lugina e Bashkuar – SDA e Sanxhakut, Shaip Kamberi, gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Serbisë, më 28 tetor. Këto fjalë kanë nxitur reagime të shumta të përfaqësuesve të pushtetit në Serbi, por edhe në rrjetet sociale.

“Alleksandar Vuçiqi dhe (Ivica) Daçiqi, janë treguar më efikas sesa baballarët e tyre politikë”, ka theksuar Kamberi gjatë fjalimit të tij.

Sonja Biserko, kryetare e organizatës joqeveritare “Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut” në Serbi, i vlerëson fjalët e Kamberit, si një deklaratë e guximshme.

“Ky është një zë mjaft i fuqishëm i përfaqësuesve të pakicës shqiptare, e cila deri më tash ka qenë në Kuvend, por nuk ka qenë kaq eksplicite dhe mendoj që kjo është një deklaratë e guximshme dhe e domosdoshme për kuvendin serb“, theksoi Biserko për Radion Evropa e Lirë.

Politologu, Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që fjalimi i Kamberit ka qenë përmbajtësor, politikisht korrekt dhe i ndërtuar mbi parimin qytetar. Sipas tij, ky fjalim nuk ishte zë opozitar, por një zë përbashkues i asaj që njihet si Serbi qytetare dhe demokratike.

“I gjithë fjalimi përshkruhej me orientimin evropian të Serbisë, me drejtimin që të ketë demokraci, që të respektohen të gjitha dallimet, si dhe me kritikën ndaj qeverisë aktuale, por edhe të politikës aktuale të presidentit, Alleksandar Vuçiq, që po shkon drejt autokracisë, duke e shtypur çdo zë opozitar”, theksoi Tahiri.

Çfarë tha Kamberi?
Gjatë fjalimit të tij në seancën e Kuvendit të Serbisë, në të cilën u zgjodh qeveria e re serbe, Kamberi vlerësoi se midis 250 deputetëve, opozita përfaqësohet nga vetëm gjashtë deputetë të partive të pakicave dhe deklaroi se grupi i tij parlamentar, i cili përbëhet nga gjashtë deputetë, nuk do të mbështesë qeverinë e re serbe. Si arsye për një vendim të tillë, Kamberi e ka theksuar atë që qeveria e kaluar me në krye Ana Bërnabiqin, nuk ka bërë asgjë për integrimin e shqiptarëve që jetojnë në jug të Serbisë.

“Unë nuk përfaqësoj as të verdhët, as të kuqtë, as të zinjtë, por shqiptarët e diskriminuar të Luginës së Preshevës”, ka thënë Kamberi.

Ai gjithashtu theksoi se, askush nga pakicat nuk udhëheqë me ndonjërën prej ministrive të qeverisë së re.

“Një koalicion i përbërë nga kinse qendra e majtë dhe e djathtë prodhoi një qeveri totalitare në Serbi, si kurrë më parë, natyrisht përmes procesit zgjedhor. E vërteta e vetme në slloganin ‘Serbia është Evropë’ është ‘Serbia është Bjellorusi’, megjithëse atje ka opozitë, të paktën në rrugë”, ka thënë Kamberi.

Kamberi deklaroi se në Serbi ka “gjuhë të urrejtjes në përdishmëri, seksizëm dhe denigrim të opozitës”. Ai, gjithashtu vlerësoi se ksenofobia po lulëzon, ashtu sikurse etiketimi me emra fyes, i cili ka hyrë në “zhargonin e përditshëm”.

Kamberi vlerësoi gjithashtu se nga Serbia nuk mund të pritet që të zgjidhë çështjen e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, përderisa, ndër të tjera, vrasja e gazetarit (pronarit dhe kryeredaktorit të së përditshmes “Dnevni Telegraf”), Slavko Quruvija, nuk është zgjidhur.