Profesori universitar i të drejtës kushtetuese, Jeton Shasivari ka shpalosur se sipas studimeve të bëra, në historinë e shtetit të Maqedonisë së pavarur janë rreth 30 raste gjyqësore të montuara politikisht. Ai thotë se në këto raste janë të dëmtuar qytetarë të të gjitha bashkësive etnike, por shumica e viktimave janë shqiptarë. Në emisionin e sotëm “ENTER”, Shasivari tha se nuk mund të ketë shpresa për zbardhjen e rasteve të këtilla pa një reformë thelbësore në sistemin e drejtësisë në vend.

“Sipas studimeve që janë bërë, janë diku rreth 30 raste të montuara ku viktimat janë edhe shqiptarë edhe maqedonas. Këto raste të montuara u atribuohen të gjitha pushteteve të mundshme, rasti Sopot ishte montuar në kohën e LSDM-së, 10 vite ndejtën njerëz të pafajshëm në burgje me gjithë ato peripeci dhe vuajtje si viktima të atij rasti. Madje kishte edhe bomba prej këtyre bombave të kryeministrit Zaev ku u dëgjuan Jankullovska dhe Mijallkovi si tallen me fatet e njerëzve që janë dëgjuar në atë rast. Edhe rasti Monstra i ka të gjitha atributet e rastit të montuar, përmendët rastin Allfa e të tjera. Është një shumëfish i përbashkët që pa reforma të mirëfillta të gjyqësorit që do të korrigjonin padrejtësitë e këtyre rasteve të montuara nuk do të mund të krijni besueshmëri të qytetarëve”, tha Shasivari.

Me zbardhjen e këtyre rasteve dhe reformimin e gjyqësorit, ai thotë se mund të kthehet edhe besimi i qytetarëve në drejtësi. Sipas hulumtimeve të bëra, rezulton se mbi 80 për qind të qytetarëve nuk i besojnë drejtësisë së këtij vendi. Shasivari vlerëson se pa mos ju nënshtruar përgjegjësisë të gjithë shërbëtorët politik të veshur me doga gjyqësore nuk do të ketë drejtësi. Profesori Jeton Shasivari tha se sot të gjithë jemi dëshmitar të pazareve politike mbi fatet tragjike të qytetarëve ku shtoi se fatkeqësisht, shumica e viktimave janë shqiptarë.