Në sheshin në Negotinë, qyteti që është i njohur për rakinë cilësore, por edhe për problemet që zgjasin me dekada në lidhje me restrikcionet për ujë, filloi ndërtimi i shatërvanit e cila qytetarëve do tu kushtojë 60.000 euro.

Fotografi nga shatërvani i vjetër i rrënuar, në vendin e të cilit do të ndërtohet shatërvani i ri, shkaktuan një sërë komente në rrjetet sociale. Sipas një pjese të qytetarëve, ky investim është jashtëzakonisht i pa nevojshëm.  Për kryetarin e komunës Vanço Apostolov, nga ana tjetër, ky objekt do të zbukurojë sheshin, i cili, sipas tij është mjaft i zbrazët, shkruan RadioMof.

Nga LSDM-ja Negotinë, thonë se ky investim vjen në kushte kur komuna ka borxhe serioze, ndërsa mungojnë edhe investimet më të mëdha.  Për ta, është e pa kuptueshme pse ndërtohet shatërvan i ri kur dihet se ekziston një tjetër, i cili ka funksionuar në mënyrë normale.

“Për ne, në mënyrë konstante, kronike, me vite, problem më i madh është furnizimi me ujë. Në Negotinë vazhdimisht ka restrikcione, zakonisht gjatë periudhës së pranverës dhe verës, kur temperaturat janë më të larta, dhe kjo ndodh prej orës 13 deri në orën 15 dhe natën prej orës 24 deri në orët e hershme të mëngjesit.  Do të thotë, deri në ora 5- 6 në mëngjes nuk ka ujë. Madje ndonjëherë gjatë periudhës verore edhe më herrët nuk ka ujë, që në ora nëntë në mbrëmje”, thotë kryetari  i LSDM-së në Negotinë, Vasko Stefanov.

Ai thotë se revolta te qytetarët është krijuar sepse komuna jep para të ndërtohen shatërvanë, ndërsa ekonomitë familjare nuk kanë ujë për nevojat elementare.

“Çdo denar tepër që ngel i pa shfrytëzuar nga buxheti duhet të dedikohet për zgjidhjen e këtij problemi”, konsideron Stefanov.

Radio MOF bisedoi edhe me kryetarin e komunës Apostolov.  Ai, nga ana tjetër, thotë se shatërvani ka qenë i parashikuar që nga miratimi i buxhetit për vitin 2017, ndërsa kostoja për ndërtimin e shatërvanit, është kosto tregu, e përcaktuar nëpërmjet ankandit elektronik.

“Negotina ka problem me furnizimin me ujë gjatë tridhjetë viteve të fundit, por shatërvani nuk ka lidhje me furnizimin me ujë sepse ai paraqet sistem rrethor bazuar mbi konceptin e pompave”, tha ai, duke shtuar se shatërvani do të paraqesë “zbukurim në sheshin pothuajse të zbrazur”.

“Ky do të jetë një nga objektet më të bukura të ndërtuara në qytetit i cili do të zbukurojë Negotinën, ndërsa konsumi i ujit nuk do të jetë as sa gjysma e asaj që konsumon një ekonomi familjare. Kështu që, për dy muaj duhet të ndërtohet, secili mund të vijë dhe ta shohë, është projekt publik, jo vetëm qytetarët e Negotinës, por edhe më gjerë”, thotë Apostolov.

Në lidhje me kritikat për mos zgjidhjen e  problemit me furnizimin me ujë, ai tha:

“Është lehtë dikush të spekulojë, por pak më vështirë është të angazhohesh me problemin në esencë dhe të fillosh të zgjidhësh problemin”.

Ai premton se për një vit tërësisht do të zgjidhet problemi me ujin në komunën e Negotinës.  Në mënyrë plotësuese, Apostolov tha se kanë implementuar disa projekte për përmirësimin e situatës, si për shembull vendosjen e rregullimit hidraulik të presionit, i cili paraqet parakusht për ndryshimin e rrjetit të ujësjellësit, por edhe me vendosjen e orëve të reja për matjen e sasisë së harxhuar të ujit nëpër ekonomitë familjare. Qëllimi përfundimtar, theksoi ai, është të zvogëlohet dhe kontrollohet konsumi i ujit.

Problem kryesor për vetëqeverisjen lokale tani paraqet edhe “vakum” zona që u krijua deri në shpalljen e zgjedhjeve të ardhshme lokale.  Apostolov, thotë se ai ende është kryetari legjitim i komunës.  Ai u bëri thirrje të gjitha strukturave të aktivizohen sa më shpejt të jetë e mundur për ta zgjidhur këtë problem që i tangon të gjithë.

“Qëllimi nuk është të krijohet një situatë politike ku dikush do t’i vuajë dëmet, qëllimi ynë është të kapërcehet kjo situatë sa më shpejt të jetë e mundur dhe unë mendoj se për këtë ka disponim te të gjithë,” vuri në dukje Apostollov.