Një mbikëqyrës i brendshëm qeveritar në Shtetet e Bashkuara njoftoi këtë të enjte se do të shqyrtojë nëse Byroja Federale e Hetimit ndoqi procedurat e duhura në hetimin ndaj kandidates demokrate në zgjedhjet presidenciale, Hillary Clinton, sa i përket përdorimit të një serveri privat “e-mail”-esh në kohën kur ka qenë Sekretare e Shtetit.

Njoftimi i inspektorit të përgjithshëm vjen në një kohë kur demokratët protestojnë duke pretenduar se humbja e Clintonit përballë presidentit të zgjedhur Donald Trump ishte si pasojë e sjelljes sërish në vëmendje të çështjes së “e-mail”-eve të Clintonit në më pak se dy javë përpara zgjedhjeve të 8 nëntorit të kaluar.

Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm në Departamentin e Drejtësisë njoftoi se hetimi i saj do të fokusohej veçanërisht në vendimet që çuan deri në komunikimet publike të drejtorit të FBI-së, James Comey, në lidhje me hetimin ndaj ish-Sekretares së Shtetit, e nëse në themelin e vendimmarrjes hetimore mund të jenë vendosur “konsiderata të papërshtatshme”.

Edhe pse FBI-ja vendosi përfundimisht se çështjen e Clintonit nuk do ta referonte për hetime të mëtejshme apo gjykim, Comey ngjalli dyshimet se mund të ketë zvogëluar besimin e Clintonit mes votuesve.

Në këtë mosmarrëveshje përfshihet përdorimi i një “e-mail”-i privat për korrespondenca zyrtare kur ajo ishte kryediplomate e Amerikës nën administratën e presidentit Barack Obama, përfshi këtu mesazhe që më vonë u përcaktua se mbanin informacione të klasifikuara.

Comey njoftoi publikisht statusin e hetimeve të agjencisë së tij ndaj Clintonit në dy raste gjatë vitit 2016. Në korrik, kreu i FBI-së mbajti një konferencë për shtyp dhe dëshmoi para Kongresit për të shpjeguar se, përse FBI-ja kishte vendosur të mos e referonte Clintonin për hetime federale, me arsyetimin se ajo ishte “ekstremisht e pakujdesshme” por nuk mund të akuzohej për neglizhencë të theksuar apo ndonjë krim tjetër federal.

Në tetor, më pak se dy javë para zgjedhjeve presidenciale, Comey tha sërish se FBI-ja po vazhdonte hetimet, sepse “e-mail”-e të reja u gjetën në një kompjuter të përfaqësuesit Anthony Weiner, bashkëshort i një prej ndihmëseve më të larta të Clintonit. Më 6 nëntor, Comey deklaroi se hetimi për kompjuterin e tij nuk prodhoi asnjë të dhënë të re, që do të inkriminonte Clintonin.