Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i përgjigjen me vendosmëri çdo sulmi rus me armë bërthamore ndaj Ukrainës, ka deklaruar këshilltari amerikan për siguri kombëtare, Jake Sullivan.

Ai deklaroi se ky është paralajmërimi i fundit që SHBA-ja ua bënë kërcënimeve të Rusisë.

“Nëse Rusia e kalon këtë vijë, do të ketë pasoja katastrofike për të. Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen me vendosmëri”, deklaroi Sullivan për NBC-në të dielën.

Ai nuk e shpjegoi mënyrën e përgjigjes që SHBA-ja do t’ia jepte Rusisë pas një sulmi të mundshëm bërthamor, por shtoi se privatisht, SHBA-ja ia ka sqaruar Moskës këtë.

Prej kur ka nisur agresioni rus mbi Ukrainë, këshilltari amerikan theksoi se SHBA-ja ka qenë në kontakt të shpeshtë dhe të drejtpërdrejtë me Rusinë, “përfshirë gjatë ditëve të fundit për ta diskutuar situatën në Ukrainë dhe kërcënimet e Putinit”.

Të mërkurën, presidenti i SHBA-ja, Joe Biden, deklaroi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se presidenti Putin ka bërë kërcënime të hapura me sulme bërthamore ndaj Evropës.