Sot Armatës së Maqedonisë së Veriut i është dorëzuar një donacion amerikan prej gjithsej 1269 armëve të llojit M4, e të cilat kapin vlerën prej 1,2 milion dollarë amerikan.

Në pranim dorëzim në kazermën e Gjorçe Petrov, morën pjesë ministrja e mbrojtjes Radmilla Shekerinska dhe ambasadorja amerikane, Kejt Meri Bërnz, informon Zhurnal.

Ambasadorja Bërnz deklaroi se me këtë donacion dëshmohet bashkëpunimi i gjerë mes dy vendeve dhe se SHBAtë do të vazhdojnë të jenë partner strategjik.

“Kjo është një shembull i mirë si të punojmë së bashku dhe të jemi të sigurtë se forcat tona do të luftojnë dhe kur së bashku do të ushtrojnë, do të jenë interoperativ, ndërsa këto armë do të përforcojnë interoperativitetin jo vetëm të SHBAve por edhe forcave tjera të NATOs. Kjo do të jetë shumë e rëndësishme dhe me ndikim për aktivitetet e mëtutjeshme. Kjo është edhe një dëshmi se bashkëpunimi ynë afatgjatë në mbrojtje që u përforcua me nënshkrimin e memorandumit për mirëkuptim javën e kaluar, por kjo është edhe një dëshmi për angazhimin tonë në vendin tuaj për modernizimin e armatës maqedonase. Ky angazhim është që Armata juaj të jetë jo vetëm e gatshme dhe aktive, si aleate më e re në NATO, por të jetë edhe mirë e pozicionuar dhe të kontribojë së bashku me forcat tona”, tha Bërnz.

Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, e cila e pranoi donacionin nga ambasadorja e SHBA-së në vend, Kejt Mari Bërnz në kazermën në Gjorçe Petrov, theksoi se bëhet fjalë për një pjesë të një projekti më të madh të financuar nga qeveria e SHBA-së i cili e ndihmon modernizimin dhe pajisjet e forcave tona ushtarake.

“Me këtë pjesë të pajisjes, ne i sigurojmë mbi 1200 pushkë automatike M-4, me kalibër 5.56, që është standard i vendeve anëtare të NATO-s dhe e vazhdon shndërrimin tonë nga standardi i vjetër në standardin e ri. Me këtë pajisje shtesë, përveç forcave speciale, të cilat edhe deri më tani kanë marrë pushkë të këtij lloji, do të siguroj pajisjen e plotë të këmbësorisë sonë të lehtë, e cila nuk është vetëm një njësi e Maqedonisë, por tashmë është edhe njësi e NATO-s dhe të cilën jemi duke e përgatitur për vlerësimin e parë të NATO-s në vitin 2022”, tha Shekerinska, duke theksuar se kjo është pjesë e pajisjeve që marrim, ndërsa numri i përgjithshëm i këtyre pushkëve automatike është mbi dy mijë, shtesë me pajisjet mbrojtëse të siguruara për ushtarët.

I gjithë projekti duhet të përfundojë deri në vitin 2022, dhe siç tha ministrja Shekerinska, përfshinë pajisje shtesë ushtarake, si mitrolozë, hedhës të granatave, si dhe elemente mbrojtëse për ushtarët./Zhurnal.mk