Qendrat amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara, dhe Departamenti amerikan i Shtetit, kanë lëshuar paralajmërime kundër udhëtimit në Spanjë, Portugali, Qipro dhe Kirgizi, për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus në këto vende.

Ky njoftim vjen teksa Departamenti amerikan për Çështje të Veteranëve është bërë agjencia e parë e madhe federale në SHBA, që u ka kërkuar punëtorëve të saj shëndetësorë të marrin vaksinat kundër koronavirusit, teksa varianti ngjitës Delta, përhapet në këtë vend.

Në qershor të këtij viti, Qendrat amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, kanë hequr paralajmërimet për udhëtime në më shumë se 110 shtete dhe territore, mirëpo teksa rastet e të infektuarve rriten, paralajmërimet janë rikthyer.