SHBA-ja do të pranojë sërish refugjatë pas katër muajve të një ndërprerjeje shumë të kundërshtuar, njoftoi Shtëpia e Bardhë, me përjashtim të atyre që vijnë nga 11 vende me rrezik të lartë, pjesa më e madhe me shumicë myslimane.

Ky ndalim i përkohshëm u bë objekt i një sage të gjatë gjyqësore që prej shpalljes së tij nga Donald Trump, pas mbërritjes në Shtëpinë e Bardhë në muajin janar, me një dekret që vazhdon të shkaktojë polemika.

Gjykata e Lartë mundësoi më në fund në muajin qershor zbatimin e pjesshëm të këtij dekreti, që do t’i lërë kohë zyrtarëve të shërbimeve migratore amerikane të rishikojnë procedurat dhe metodat e verifikimeve të mëparshme të udhëtarëve.

“Ky pasazh e bën kombin tonë më të sigurtë”, shkruhet në dekretin e ri të nënshkruar dje nga Donald Trump duke i hapur rrugën sistemit të pranimit të refugjatëve.

“Këta të fundit do të përballen tashmë me verifikime të riforcuara, me një studim më të thellë të pranisë së tyre në rrjetet sociale dhe historikun e tyre të konektimeve”, theksoi Jennifer Higgins, një prej zyrtareve të departamentit të ngarkuar me refugjatët në shërbimet amerikane të imigracionit, përcjell Atsh.

“Siguria e amerikanëve është prioriteti ynë më i madh”, deklaroi ajo.

Dekreti i ri shoqërohet me një ulje të thellë të numrit të pranimit të refugjatëve të lejuar në SHBA për vitin e ardhshëm.
Ish-presidenti demokrat, Barack Obama kishte vendosur limitin prej 110 000 refugjatë për vitin fiskal 2017, që përfundoi më 30 shtator.