Ajo që duhej të ishte një mbrëmje argëtuese është kthyer në tragjedi. Zjarri që përfshiu një klub nate në Okland të San Franciskos i kushtoi jetën të paktën 9 personave.

Flakët u sinjalizuan në 23 e 30 me orën lokale të së premtes, siç bëjnë të ditur mediat amerikane, sipas të cilave fati i 13 personave të tjerë nuk dihet ende.

Në klubin e natës, ku besohet se gjendeshin rreth 50 vetë, po performonte grupi Golden Donna, i njohur për muzikën “rave”.

Godina ku ndodhi tragjedia nuk ishte një ambjent i zakonshëm koncertesh pasi aty jetonin edhe shumë artistë. Njëri prej tyre tregoi për mediat se ishte përpjekur të nxirrte jashtë një mikun e tij, por nuk ia kishte dalë pasi ishte asfiksuar nga tymi.

Zjarrfikësit thanë se godina nuk kishte sistem spërkatjeje me ujë. Video të postuara në rrjetet sociale treguan flakët e mëdha që ngriheshin mbi çatinë e ndertesës.

Eventi ishte njoftuar në Facebook dhe organizatorët e kishin mbajtur të fshehtë vendin e saktë të koncertit deri në ditën e mbajtjes së tij.