Pjesëtarët e armatës duhet ta dinë se do të vlerësohen sipas aftësisë dhe njohurive të tyre dhe jo sipas favorizimit të individëve ose partive politike, porositi sot ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska pas takimit me pjesëtarët e Regjimentit për operacione speciale në kuadër të ARM-së, përcjell Fol.

“Atë që e paralajmëruam do ta realizojmë. Buxheti për vitin 2018 hyri në procedurë kuvendore dhe ai vërteton se Qeveria dhe unë si ministre e Mbrojtjes do ta realizojmë atë për të cilën u obliguam, ndërsa ajo është sigurimi i mjeteve për rritjen e pagave për të gjithë të cilët janë në shërbimin e armatës së Maqedonisë në shumë prej 10 për qind”, theksoi Shekerinska dhe shtoi se për këtë janë siguruar 300 milionë denarë.

Ministrja në takim është njoftuar për nevojat e “ujqërve”, të cilët në rrethin e kazermës Ilinden zbatuan një stërvitje demonstruese, ndërsa është biseduar edhe për standardet profesionale dhe objektive të ARM-së.

“Në mënyrë plotësuese në buxhet siguruam mjete me të cilat do të përmirësohen kushtet dhe mjetet e pjesëtarëve të armatës. Patëm rastin të shohim uniforma të disa armatave të vendeve anëtare të NATO-s, por edhe uniforma të grisura të cilat pas disa viteve pakujdesi akoma i shfrytëzojnë ushtarët e ARM-së”, tha Shekerinska.

Për vitin e ardhshëm paralajmëroi edhe dy konkurse për ushtarë të rinj profesional dhe theksoi se mundësi për t’u punësuar në njësitet elitare të ARM-së ka çdo individ i cili do t’i plotësojë kushtet rigoroze. /Fol/