Të dashur shqiptarë kudo që të jeni, të dashur miq, vendorë e ndërkombëtarë ! Vitin që po e lëmë pas, do e mbajmë mend si viti i fillimit të shpresës dhe ndryshimit të madh. Aleanca për Shqiptarët lindi pikërisht në këtë vit, si nevoje dhe kërkesë e kohës. Subjektet tona, LR- PDSH, RDK, UNITETI dhe liderët e saj, shumë shpejt e kuptuan nevojën e bashkëpunimit, unifikimit dhe bashkëveprimit politik.

Ne gjetëm gjuhën e përbashkët politike, ngase për një veprim të tillë na nxiti dëshira Juaj për të qenë bashkë, më të fortë dhe më të qëndrueshëm. Aleanca për Shqiptaret, për një kohë të shkurtër, pas një angazhimi serioz të mbështetësve, anëtarëve dhe simpatizuesve të vet, shumë shpejt u ngjit në skenën politike, duke u përfaqësuar edhe në Kuvendin e RM-së, si një aleancë e fortë, për t’u dhënë shpresë shqiptarëve të Maqedonisë se mundet edhe ndryshe.

Aleanca për Shqiptarët dhe udhëheqësit e saj, jo vetëm që krijuan një sinergji politike por u dhanë mesazhe edhe subjekteve tjera politike, për të kuptuar nevojën e bashkëpunimit me të gjithë spektrin politik shqiptar.
Aleanca për shqiptarët, do vazhdojë të jetë zëri juaj i kërkesave politike, me zotimin për një përkushtim dinjitoz dhe serioz në përcaktimet e saja programore, deri ne plotësimin e gjithë kërkesave të ligjshme të shqiptarëve, duke filluar nga zyrtarizimi i plotë i Gjuhës shqipe, funksionimi binacional i shtetit në të gjitha nivelet, vendimmarrja konsensuale, ndarja proporcionale e buxhetit, funksionimi i shtetit të së drejtës, si dhe integrimi i vendin në strukturat Euro- Atlantike.

Urime dhe gëzuar Vitin e Ri 2017, me dëshirat më të sinqerta për një jetë të mbarë, shëndet të plotë dhe mirëqenie në familjet e juaja Aleanca për Shqiptarët.