Në këtë epokë të teknologjisë, nuk është e pazakonshme kur i shohim fëmijët e vegjël duke luajtur me tablet apo telefona të mençur.

Dhe pavarësisht se shumë ekspertë dhe shkencëtarë thonë se është i dëmshëm përdorimi i pajisjeve teknologjike nga fëmijët e moshës së vogël, qindra aplikacione të cilat janë në dispozicion për t’u shkarkuar dëshmojnë se shumë prindër – dhe zhvillues aplikacionesh – nuk u kushtojnë vëmendje këtyre paralajmërimeve, transmeton Telegrafi.

Si opsion i shpejtë dhe i lehtë i argëtimit, bile disa prej aplikacioneve edhe janë të afta t’ua mësojnë aftësitë motorike dhe koordinimin e syve me duart, është e kuptueshme se shumë prindër i pranojnë dhe mbështeten nga këto aplikacione për fëmijët e tyre.

Por ky ekspozim i fëmijëve ndaj ekraneve, duke përfshirë video-lojërat, emisionet televizive, kompjuterët, etj., mund të jetë përgjegjës për trendin e ri të varësisë që është në rritje – varësinë nga ekranet!

Përderisa shumë prindër e kanë konsideruar këtë mundësi në të kaluarën duke bërë pyetje të llojit, “sa orë guxojnë fëmijët t’i kalojnë para ekraneve” – duket se ata kanë qenë duke bërë pyetje të gabuara.

Sipas hulumtimeve të reja, mënyra se si fëmijët i përdorin pajisjet, e jo sa shumë kohë shpenzojnë në to, është parashikuesi më i fortë i problemeve sociale apo emocionale që ndërlidhen me varësinë e ekranit.

Siç duket, nuk ka rëndësi nëse fëmija juaj e shpenzon një orë apo pesë orë pranë ekraneve – edhe pse normalisht nuk rekomandohet pesë orë.

Por studimi demonstron se ka më shumë rëndësi mënyra se si fëmijët i përdorin pajisjet, e jo se sa gjatë i përdorin.

Më e rëndësishmja është të kuptoni se varësia nga ekranet shkakton probleme në aspekte të ndryshme të jetës, dhe shpejt mund të shndërrohet në aktivitet që ua konsumon tërë kohën fëmijëve.

Por, si ta dini saktësisht nëse fëmija është i varur nga ekranet? Keni parasysh këto shenja:

– Nëse koha pranë ekraneve u pengon atyre me aktivitetet ditore

– Nëse përdorimi i pajisjeve elektronike shkakton konflikte për fëmijën apo në familje

– Dhe nëse një pajisje elektronike është i vetmi aktivitet që i sjell gëzim fëmijës.

Nëse fëmija juaj e shfaq ndonjërën nga këto shenja, atëherë është koha të ndërmerrni masa, sepse varësia ndaj ekraneve është e ndërlidhur me probleme të ndryshme.

Lajmi i mirë është se përderisa fëmija juaj nuk e shfaq ndonjërën nga këto shenja, atëherë është në rregull ta lini atë të kënaqet me lojëra të ndryshme për disa orë.