Organizatat joqeveritare në Maqedoninë e Veriut, thonë se mosinformimi i duhur i qytetarëve, si dhe mungesa e besimit ndaj institucioneve, ka bërë që pjesa më e madhe e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, shumë më shumë të preferojnë që çdo shërbim ta realizojnë duke shkuar personalisht në sportelet e institucioneve, sesa të apelojnë për marrjen e shërbimeve online.

Ndërkohë që përfaqësuesit e institucioneve të pushtetit vendor dhe atij qendror, në vazhdimësi zotohen se digjitalizimi i shërbimeve mbetet në krye të listës së prioriteteve, për dy arsye: e para për të shmangur pritjet para sporteleve si masë mbrojtëse ndaj koronavirusit të ri, dhe e dyta për të ofruar shërbime më efikase dhe në kohë për qytetarët.

Në bazë të hulumtimit që ka realizuar organizata joqeveritare AGTIS, vetëm 1.5 për qind e popullsisë në Maqedoninë e Veriut, e shfrytëzojnë mundësinë për sigurimin e shërbimeve të caktuara përmes platformës elektronike uslugi.gov.mk.

Bllagica Cvetkovska nga organizata joqeveritare AGTIS, thotë për Radion Evropa e Lirë se pushteti vendor dhe ai qendror, nuk ofrojnë mjaftueshëm shërbime elektronike, me atë që qytetarët të shërbehen në kohë dhe të shmangin rradhët e gjata nëpër sportele.

“Janë të pakta shërbimet elektronike të cilat i ofron pushteti vendor. Në bazë të dhënave që i kemi marrë ne, si shërbime të plota elektronike, ofrohet vetëm pagesa e tatimit të pronës dhe të dhënat rreth parcelave katastrale. Vetëm 0.89 për qind e klikimeve që ofrojnë portalet komunale, mund të realizohen si shërbim elektronik pa pasur nevojë që qytetarët të paraqiten në sportelet e institucioneve të pushtetit vendor”, thotë Cvetkovska, duke shtuar se nga 789 shërbime të disponueshme, vetëm 151 mund të fitohen në mënyrë elektronike.

Hulumtimi që ka realizuar AGTIS, nxjerr në pah se qytarët e Maqedonisë së Veriut, nuk kanë informacione të mjaftueshme se ekziston një portal i tillë, ndërsa është e lartë edhe përqindja e qytetarëve që edhe nuk besojnë se do të mund të marrin shëbimet e duhura njësoj sikur të aplikojnë në sportelet e institucioneve.