Agjencia për Siguri Kombëtare (ASK), trashëgimtare e Drejtorisë për Siguri Publike, nuk ju beson deputetëve shqiptarë në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut. Kjo së paku vërtetohet nga ndarja e certifikatave për siguri, konkretisht dokumentit zyrtar për qasje te informatat me karakter sekret shtetëror. Ky shërbim sekret, që llogari jep para Parlamentit, megjithatë bën dallime sa i përket ndarjes së certifikatave të sigurisë kur janë në pyetje deputetët shqiptarë. Nga nëntë deputetë – anëtarë të Komisionit parlamentar për mbikëqyrje të punës së ASK, por edhe të Agjencisë për Zbulim, pa certifikatë sigurie kanë mbetur tre anëtarët shqiptarë: Vjollca Ademi e BDI-së, Elmi Aziri i Aleancës për Shqiptarët dhe Bastri Bajrami i Lëvizjes BESA. Pa certifikatë janë edhe dy zëvendës-anëtarët shqiptarë – Bajram Kadrija dhe Artina Qazimi.

Gazeta KOHA merr vesh se mungesa e certifikatave për deputetët shqiptarë, është edhe arsyeja që Komisioni parlamentar për mbikëqyrje të punës në ASK dhe në Agjencinë për Zbulim deri më sot nuk ka mbajtur asnjë mbledhje. Kryetari i Komisionit në fjalë, Lupço Prenxhov, për gazetën KOHA e pranon se shumica e anëtarëve veçmë janë certifikuar, ndërsa kanë mbetur edhe dy-tre anëtarë të tjerë që janë në kontroll dhe ende s’kanë certifikata për siguri, duke mos saktësuar se për cilët deputetë bëhet fjalë. “Pa u certifikuar gjithë anëtarët e Komisionit, unë nuk thërras mbledhje. Gjithçka është në bazë të normës ligjore prej gjashtë muajve. Gjithë anëtarët janë në kontroll dhe më pas certifikohen, deri tani shumica janë certifikuar, kanë mbetur vetëm 2-3 anëtarë. Domethënë këtu qëndron arsyeja se pse ky komision nuk ka mbajtur asnjë seancë në Parlament. Por edhe kur ta kemi seancën e parë, e njëjta do të jetë e mbyllur për opinionin, sepse aty shpalosen informata të klasifikuara shtetërore. Një gjë të jeni të sigurt, në këtë Komision nuk do të ketë hapësirë për politikë”, thotë për KOHA, Prenxhov, ndërsa shton se njëri nga anëtarët e Komisionit, pa treguar emër, as që ka dërguar kërkesë për certifikim. “Edhe një informacion shtesë. Njëri nga anëtarët e Komisionit nuk ka dërguar kërkesë për certifikim”, tha Prenxhov.

Mospasjen e certifikatës për siguri e ka konfirmuar deputetja e BDI-së, Vjollca Ademi. “Sipas mendimit tim, problemi qëndron aty se ne nuk kemi aplikuar online. Aplikimin e kemi bërë, por jo online. Mendojë se aty qëndron problemi, por do të koordinohemi me deputetët tjerë shqiptarë që nuk kanë certifikatë”, u shpreh shkurt deputetja Ademi. Edhe deputeti Bastri Bajrami thotë se është në pritje të certifikatës për siguri, ndërsa Elmi Aziri shprehet se nuk është i interesuar për punë e këtij Komisioni. Në ndërkohë, kontakti me Byronë shtetërore për informata të klasifikuara – e lidhur me ASN-në, e që është përgjegjëse ndarjen e certifikatave, nuk është i lehtë – madje në të shumën e rasteve – është i pamundur. Megjithatë, edhe në përbërjet e kaluara parlamentare, deputetët shqiptarë që kanë qenë pjesë e Komisionit parlamentar për mbikëqyrje të punës në ASK dhe në Agjencinë për Zbulim, kanë pasur probleme me mungesën e certifikatave të sigurisë. Komisioni në fjalë – si një ndër komisionet më të veçanta parlamentare, ka qasje të drejtpërdrejtë te informatat e klasifikuara, gjegjësisht në raportet për punën e dy shërbimeve sekrete në Maqedoninë e Veriut dhe ku shihet qartë përmbushja e detyrimeve ligjore dhe mundësia për cenim të rrezikut si nga jashtë, ashtu edhe nga brenda vendit.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut para dy viteve mori vendim për formimin e Agjencisë për Siguri Kombëtare, e cila zëvendësoi Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, shërbim ky që njihet për ndjekjen e përgjimeve të jashtëligjshme. Përmes themelimit të Agjencisë për Siguri Kombëtare synohej të reformohet DSK që për disa vite drejtohej nga Sasho Mijallkov, tashmë i akuzuar në disa lëndë të Prokurorisë Speciale. Në bazë të ligjit të ri, ASK u pavarësua nga Ministria e Punëve të Brendshme, ndërsa për drejtor u emërua Viktor Dimovski, person me përvojë të gjatë në shërbimet sekrete të vendit. Reformat në shërbimet e sigurisë ishin një nga kërkesat kyçe të faktorit ndërkombëtar sa i përket përmbushjes së detyrimeve që ka marrë përsipër vendi në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Agjencia për Siguri Kombëtare shquhet për zgjedhjen politike të drejtorit dhe zëvendësdrejtorit, e që nënkupton se pavarësisht ndryshimeve ligjore dhe shkëputjen e saj nga MPB, mbetet sërish vegël e pushtetit. (koha.mk)