Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane, të paktën kështu vërtetojnë burimet e inteligjencës amerikane.

Konfirmime të tilla përforcojnë zërat të cilët prej kohësh akuzonin Rusinë se ka ndikuar në zgjedhjet presidenciale të zhvilluara në 8 nëntor të këtij viti ku fitues u shpall Donald Trump. Një lajm i tillë bëhet me dije nga media amerikane të cilat citojnë burime nga shërbimet sekrete.

Sipas dosjes thuhet se shefi i Kremelinit ka ndërhyrë personalisht duke udhëzuar sesi të përdoren materialet e vjedhura kibernetikisht nga demokratët.
NBC News e cilëson këtë ndërhyrje një hakmarrje personale të Putin ndaj Hillary Clinton. Mesa duket presidenti rus nuk e ka falur ish- sekretaren e cila vuri në dyshim zgjedhjet ruse të vitit 2011 duke inkurajuar në atë kohë edhe manifestime.

Dyshime të tilla në fakt duket se do të shkaktojnë sërish polemika duke paSur parasysh edhe raportet e mira që presidenti i zgjedhur Trump ka me homologun rus Putin dhe gatishmërinë e tyre për të përmirësuar marrëdhëniet e ftohta mes Uashingtonit dhe Moskës.
shqiptarja.com/d.i.