Sheshi i Tetovës, ndër vite është lënë në harresë. Edhe ato pak pajisje që janë vendosur dikur, janë dëmtuar dukshëm dhe nuk janë mirëmbajtur. Kjo ka bërë që kjo qendër të humb edhe shkëlqimin që kishte dikur, por edhe të jetë një vend për të kaluar kohën e lirë qytetarët e Tetovës dhe jo vetëm. Rregullimi i pajisjeve urbane pritet që të bëhet gjatë pjesës së parë të këtij viti nga ana e komunës së Tetovës. Kjo, nuk nënkupton se shumë shpejt do të ketë një projekt më serioz dhe më atraktiv për qendrën e qytetit të Tetovës.

Nga Komuna e Tetovës thonë se kanë angazhuar studentet e universitetit të Tetovës dhe Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë që të bëjnë projekt ideor për vendosjen e pajisjeve urbane të reja. Pas zgjidhjes së projektit ideor do të fillohet që të bëhet rifreskimi i qendrës. Këtyre ditëve do të ketë edhe shpallje publike për projektin ideor.

“Ideja e kryetarit të komunës së Tetovës është që këtë vit të shkohet me rifreskimin e qendrës së qytetit që ka të bëjë me pajisjet urbane. Në këtë shesh, kemi të dëmtuara të gjitha ato pajisje që janë të vendosura para disa viteve që nënkupton, ulëset, shportat për mbeturina, gjelbërimi, drutë. Këta janë të dëmtuara dhe që të mos e lëmë në këtë gjendja, ideja ishte që të bëjmë një projekt ideor. Në këtë drejtim kemi një bashkëpunim me dy universitetet e Tetovës. Studentët e kanë mirëpritur këtë iniciativë dhe presim që brenda tre jave të kemi edhe projektet ideore që do të konkurrojnë dhe më pas projekti më i mirë do të zgjidhet për realizim konkret”, tha Memet Jonuzi, nga Sektori për Tokë ndërtimore në komunën e Tetovës.

Poashtu është paraparë që edhe në pjesën ku është rrethrrotullimi të projektohet një simbol që karakterizohet me qytetin e Tetovës. ”Do të ketë shporta të reja për mbeturina, ulëse, do të intervenohet edhe një pjesën e gjelbërimit,mbjellja e druve, fidanëve e kështu me radhë. Krahas kësaj, pritet që të ketë vendoset edhe një simbol me të cilin identifikohet Tetova në rrethrrotullimin që do të dizajnohet nga vetë konkurruesit”, tha Jonuzi.

Ndërkaq, është paraparë edhe një pjesë ku do të qëndrojnë gjatë sezonit veror dhe vjeshtor, shitësit e prodhimeve vendore. Viteve të fundit, krahas qenve, por edhe vendosjes së panove reklamuese, apo ndonjë aktiviteti të rrallë kulturor ose partiak, sheshi i Tetovës nuk ka shërbyer për asgjë tjetër. Në të kaluarën në këtë shesh janë organizuar edhe shumë protesta madhështore si ato për më shumë të drejta për shqiptarët, protesta për legalizimin e Universitetit të Tetovës, koncerte madhështore, por viteve të fundit, aktivitetet të kësaj natyre vërehen shumë pak. (koha.mk)