Pesë organizatat e mediave, dorëzuan në Kuvend propozimin e ndërmjetësit ndërkombëtar në bisedime, Piter Vanhoutte për ndryshim dhe plotësim të ligjit për shërbime audio dhe audio-vizuele ka për qëllim të reformat në sferën mediatike. Kryetari i Shoqatës së Gazëtarëve të Maqedonisë, Naser Selmani, tha se e gjithë kjo bëhet me qëllim që të vazhdohet debati për reformat mediatike, pas dështimit të bisedimeve në mes përfaqësuesve politik në grupin punues.

 “Nisma është dorëzuar te të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë me qëllim për të vazhduar debatin për reformat në media pas dështimit të bisedimeve mes nënshkruesve të marrëveshjes së Përzhinos. Presim që të diskutohet seriozisht dhe në mënyrë transparente me përfshirjen e të gjitha organizatave të mediave për të arritur zgjidhjen më të mirë të mundshme”, ka deklaruar Naser Selmani, kryetar i SHGM-së.

 Pesë organizatat mbeten të angazhuara për miratimin e reformave në media që, sipas tyre ,nuk do të thotë vetëm ndryshime të ligjit, por edhe implementimin efektiv të ligjeve. Ata presin të gjithë deputetët ta mbështesin propozimin e ndërmjetësit Vanhoutte, kurse kërkojnë nga kryetari i Kuvendit që urgjentisht të konvokojë seancë, ku do të diskutohet për këtë çështje.

“Mendoj se njëherë duhet të presim, ne do ta dorëzojmë, do të presim që deputetët të reagojnë shpejtë, të nënshkruajnë, të venë firmën në këtë propozim. Mendoj se është korrekte t’iu japim rast deputetëve që të mbështesin nismën, ne në vazhdim do të punojmë që të lobojmë për propozimin tonë”, ka shtuar Selmani.

Në propozimin e tyre, është precizuar që të ndalohet reklamimi i qeverisë, RTVM dhe Agjencia e mediave të çlirohen nga kontrolli i pushtetit dhe të sigurohet financim i konsiderueshëm i tyre, të zvogëlohen detyrimet dhe gjobat e mediave private si dhe të zmadhohet transparenca e institucioneve.