Anëtari i Këshillit të Programit të RTM-së, i nominuar nga Shoqata e gazetarëve në Maqedoni (SHGM), Vedat Memedaliu, javën e kaluar kërkoi të realizohet një seancë urgjente të Këshillit të Programit, në të cilën duhet të flitet për mënyrën në të cilën raportoi transmetuesi publik për dhunën që ndodhi në Kuvend më 27 prill. Në seancë do të kërkohet përgjegjësi nga menaxhmenti i RTM-së si dhe nga kryeredaktorët e të gjithë serviseve programore të Televizionit dhe Radios për raportimin joprofesional për incidentët.

Kërkesa e tillë e Memedaliut për seancë urgjente rrjedh pas letrës që e dërgoi Agjencioni për shërbime mediatike audio dhe audiovizuale deri te Këshilli i Programit, në të cilën Agjencioni kërkon të kontrollohet nëse transmetuesi publik ka raportuar sipas parimeve të parashikuara në Ligjin për shërbime mediatike audio dhe audiovizuale.

Në letrën ASHMAA kërkon që Këshilli i Programit të RTM-së t’i përmbush obligimet ligjore për mbrojtje të interesave të publikut në aspekt të përmbajtjeve të programit dhe të shqyrtojë raportimin e RTM-së lidhur me ngjarjet në Kuvend.

Sipas Agjencionit, Këshilli i RTM-së ka për detyrë të ndjek përmbushjen e obligimeve programore, parimeve dhe standardeve në RTM, siç është obligimi i transmetuesit publik të sigurojë informim të vazhdueshëm, të vërtetë dhe të paanshëm për të gjithë ngjarjet e rëndësishme politike në shtet.

Përveç kësaj, Anëtari i Këshillit për shërbime mediatike audio dhe audiovizuale Zoran Fidanovski, i nominuar nga ShGM, në seancën më 5 maj, ka përkrahur reagimin e ASHMAA për inicimin e diskusionit për sjelljen e RTM-së gjatë incidenteve në Kuvend, në të cilët, ndër të tjerët janë lënduar 20 gazetarë dhe anëtarë të ekipeve raportuese. Fidanovski paralajmëroi që ShGM do të kërkojë përgjegjësi nga menaxhmenti i RTM-së për raportimin joprofesional në ditën kritike.

Sipas paralajmërimeve, seanca e Këshillit të Programit në RTM duhet të mbahet nesër në ora 14 në hapësirat e Radio-Televizionit të Maqedonisë.