E mërkurë, 28 Tetor, 2020
6 C
Skopje
Lajme Maqedoni

SHGM pajtohet me KE-në se gjendja e mediave po përkeqësohet

“Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë pajtohet me vlerësimin e Komisionit Evropian se gjendja e lirisë së mediave sivjet në Maqedoni është përkeqësuar. Komisioni në raportin për përparimin e Maqedonisë në vitin 2016, me të drejtë konkludon se në pjesën dërmuese të mediave maqedonase mungon pluralizmi politik dhe se televizionet kombëtare në mënyrë të koordinuar mbështesin partinë në pushtet”, thonë nga SHGM.

Ata gjithashtu konstatojnë se pjesa më e madhe e vlerësimeve të Komisionit lidhur me dhunën ndaj gazetarëve, financimin e mediave dhe gjendjen në Servisin publik radioviziv dhe në rregullatorin e mediave, janë identike me qëndrimet e SHGM.

“Komisioni konfirmoi se gazetarët janë të ekspozuar sulmeve të ndryshme, ndërsa autoritetet nuk kanë ndërmarrë asgjë për të ndëshkuar autorët, në mesin e të cilëve ka pasur edhe politikan. Qartë theksohet se sulmet fizike ndaj gazetarëve, përgjimi joligjor i tyre dhe kushtet e vështira të punës nxisin vetë-censurën.  Komisioni evropian nuk kërkon të përligjen fushatat e qeverisë, të cilat në të kaluarën kanë shërbyer për të ushtruar trysni mbi median, por kërkon transparencë të plotë për mjetet e shpenzuara për këtë qëllim. Në raport këmbëngulet për vendosjen e kritereve për publikimin e fushatave pa pagesë mediatike, të cilat janë me interes të vërtetë publik”, shtojnë nga SHGM.

Sipas tyre, pa mëdyshje është vërtetuar shqetësimi i SHGM lidhur me varshmërinë editoriale dhe financiare të Radiotelevizionit maqedonas, i cili ende nuk mund të sigurojë raportim objektiv dhe të saktë për qëndrime dhe opinione të ndryshme në publik.

“Komisioni vlerëson angazhimin e organizatave të gazetarëve për reforma në media, megjithatë konstaton se ka munguar përkushtimi politik për promovimin e pavarësisë dhe pluralizmit në media. SHGM mbështet thirrjen e Komisionit evropian për dialog gjithëpërfshirës të qeverisë me bashkësinë e mediave për ndërmarrjen e masave drastike për forcimin e pavarësisë dhe të pluralizmit në media”, përfundojnë nga SHGM.