Gazeta zyrtare në numrin e sotëm ka shpallur vendimin për zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryetarë Kuvendi. Me këtë Xhaferi pritet që ditëve në vazhdim të deponojë edhe nënshkrimin dhe të marrë vulat. Por nga ana tjetër, presidenti Gjorgji Ivanov nuk jep asnjë sinjal se si do të veprojë ndaj letrës së Xhaferit në të cilën ai është njoftuar për formimin e shumicës së re parlamentare dhe i kërkohet që t’i ndajë mandatin për formimin e Qeverisë Zoran Zaevit. Nga villa në Vodno nuk ka asnjë njoftim edhe pse tanimë ka filluar të rrjedhë afati prej 10 ditëve. Nga LSDM nuk kanë dashur të flasin për plan të dytë nëse Ivanov nuk i ndan mandatin kreut të kësaj partie. Petre Shilegov tha se gjithmonë kanë insistuar në procedurat e rregullta, andaj ftoi Ivanovin që të respektojë Kushtetutën dhe një ditë e më parë të ndajë mandatin. Shilegov i ka quajtur dezinformata shkrimet e fundit të portaleve për ndarjen e resorëve dhe nominimin e ministrave në Qeverinë e re. Ai shtoi se LSDM do të bisedojë me të gjitha partitë shqiptare që kanë mbështetur shumicën e re parlamentare për të qenë bashkë edhe në koalicionin qeveritar.

“Të gjithë emrat që janë publikuar dje janë spekulim i pastër. Deri më tani nuk është biseduar për zgjedhjet personale për resorët adekuat. Ne e kemi përsëritur disa herë se për ne është e rëndësishme që presidenti Ivanov ta ndajë mandatin dhe pasi ta mer mandatin, kryetari i LSDM-së do të fillojë . zyrtarisht bisedimet për formimin e Qeverisë së re. Të gjitha partitë që qëndruan pas mandatit të Zoran Zaevit si kryetar i LSDM-së janë mbështetës të atij mandatit dhe thash pas marjes së mandatit do të fillojnë bisedimet dhe atëherë do të dihet se kush do ta formojë Qeverinë”, ka deklaruar Petre Shilegov, zëdhënës i LSDM-së.
LSDM gjithashtu i ka bërë thirrje Gjykatës Kushtetuese që mos të tentojë të përpilojë ligje të reja por të interpretojë ligjet në seancën ku do të vendoset për mandatin e kryetarëve të komunave. Ai tha se edhe për këtë temë është e rëndësishme që Ivanov të ndajë mandatin që më pas Kuvendi të bëjë ndryshimet ligjore dhe t’u jep kompetenca drejtuesve të pushtetit lokal./SHENJA