Mesazhin në “Twitter” që qesendiste udhëheqësin e demokratëve në Senat, Donald Trump e shoqëroi me “hashtag”-un #tathajmëmoçalishten. Një shprehje kjo, të cilën e kishte përdorur edhe gjatë fushatës.

“Është e vërtetë se Chuck Schumer kishte shprehur më parë mungesë besimi ndaj James Comey, – thonë mediet amerikane. – Por ajo që ai vet, demokratë të tjerë dhe disa republikanë vënë në pikëpyetje është koha e zgjedhur nga presidenti për shkarkimin e shefit të FBI-së”.

“Nëse Trump vërtet mendonte se Comey nuk e menaxhoi siç duhej hetimin e “e-mail”-eve të Hillary Clintonit, – shprehen ata, – atëherë duhej ta kishte pezulluar që në muajin janar dhe jo pikërisht tani, kur është në mesin e verifikimit të lidhjeve të rusëve me anëtarë të stafit të fushatës së miliarderit”.

Comey nuk është viktima e vetme, mbi të cilin bie “shpata” e shefit të Shtëpisë së Bardhë në kohën kur anturazhi i tij është subjekt i këtij hetimi.

Largimi i bujshëm i ish-drejtueses së Departamentit të Drejtësisë, Sally Yates, u bë pasi ajo refuzoi të zbatonte urdhrin e tij të parë ekzekutiv mbi ndalimin e hyrjes së shtetasve nga një listë vendesh me shumicë myslimane në SHBA.

“Prokurorja e Përgjithshme në detyrë e tradhtoi Departamentin që drejton, me refuzimin e zbatimit të një vendimi të marrë për mbrojtjen e qytetarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shpjegoi atëherë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.

Kryeprokurorja në detyrë, – kujton CNN, – ishte ndërkohë edhe pjesë e hetimeve mbi mundësinë e një pakti të fshehtë mes Moskës dhe administratës “Trump” dhe u takua me zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë për t’i informuar se, ai që ishte asokohe këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn, nuk po thoshte të vërtetën mbi takimet e tij me ambasadorin rus, Sergey Kislyak.

Preet Bharara, ish-prokurori për distriktin jugor të Nju Jorkut, një figurë mjaft e respektuar, u pushua gjithashtu, edhe pse Trump e kishte siguruar se nuk do t’i prekej vendi i punës. Zyra e Bharara kishte hetime nëpër duar në kohën e shkarkimit të tij, një ndër të cilët përfshinte rrjetin e preferuar të Trump, “Fox News”, si dhe pretendimet e presidentit se ishte përgjuar nga pararardhësi i vet, Barack Obama.