Përfaqësuesit e vendeve perëndimore në Shkup kanë shtuar apelet për zgjedhje demokratike. Pas ambasadorit amerikan Xhes Bejli dhe atij të BE-së Samuel Zhbogar, edhe ambasadorja gjermane në vend Kristine Alltahauzer, ka bërë thirrje për fushatë të qetë dhe votime korrekte. Ajo ka ftuar partitë politike të zbatojnë edhe në praktikë marrëveshjen e firmosur ditë më parë për një proces elektoral të besueshëm.

“Koha e fushatës është e shkurtë por thelbësore dhe pas 11 dhjetorit duhet të fillojë zbatimi i reformave për ta kthyer vendin në rrugën euro-atlantike”, deklaroi Kristine Allthauzer, ambasadore e Gjermanisë në Maqedoni.

Por, atmosfera në të cilën ka nisur fushata nuk premton shumë. Organizata Civil ka shënuar shumë parregullsi që në fillim të fushatës siç është keqpërdorimi i fëmijëve nëpër shkolla, keqpërdorimi i institucioneve nga partitë në pushtet dhe presionet ndaj mediave. Një pjesë e ekspertëve thonë se nëse këto zgjedhje nuk organizohen si duhet, rrezikohet ardhmëria e vendit

“Ne vlerësojmë se ky është momenti i fundit kur partitë duhet të tregojnë vullnet politik që të kemi një proces sado pak të besueshëm më 11 dhjetor. Nëse një gjë e tillë nuk ndodhë do të kemi pasoja edhe më të rënda për zhvillimet në përgjithësi dhe për ekzistencën e vendit tonë”, tha Xhabir Deralla, Civil.

“Ne kishim në disa cikle të zgjedhore vlerësime për shkelje të kritereve të Kopenhagës, siç është ndarja e shtetit nga partia apo shkelja e barazisë së votës. Edhe përkundër thirrjeve të shumta, Parlamenti nuk arriti të balancojë numrin e votuesve nëpër njësitë zgjedhore, vërejtje që sipas të gjitha gjasave do të evidentohet edhe në raportin për zgjedhjet e 11 dhjetorit”, tha Aleksandar Novakovski, ish kryetar i KSHZ-së.

E vetmja mundësi për zgjidhjen e krizës sipas analistëve janë zgjedhjet e lira, ndaj dhe bëjnë thirrje që drejtuesit e partive kryesore të jenë më te përgjegjshëm gjatë fushatës dhe mos të nxisin anëtarësinë për probleme./Alsat/