Klubi i futbollit Shkëndija përmes Kryqit të Kuq familjeve të goditura nga vërshimet në rajonin e Shkupit u ka dorëzuar pako me artikuj ushqimor që arrijnë vlerën e 10 000 eurove. Mjetet u grumbulluan nga shitja e biletave të ndeshjes Shkëndija-Sileksi, si dhe mjete të mbledhura nga kryesia, futbollistët, stafi teknik dhe administrata.

 Iniciativa e Shkëndijës për të grumbulluar mjete me të cilat do t’u dilet në ndihmë familjeve të goditura nga vërshimet e javës së kaluar në rrethinën e Shkupit është realizuar me sukses. Kapiteni Ferhan Hasani, bashkë me Ardian Cuculin, Besart Ibraimin dhe Besir Demirin (futbollist nga rajoni i goditur-Haraçina) në emër të klubit përmes Kryqit të Kuq kanë dorëzuar ndihmën në destinacionin e planifikuar, duke shpresuar në zbutjen e gjendjes së vështirë të familjeve që e kanë pësuar.

Shkëndija dorëzoi pako me artikuj ushqimor që arrijnë vlerën e 10 000 eurove, ndërsa mjetet janë grumbulluar nga shitja e biletave (rreth 4 000 mijë bileta të shitura) në ndeshjen e xhiros së parë të sezonit të ri në LPFM, Shkëndija-Sileksi, si dhe para të dhëna si donacion nga kryesia, futbollistët, stafi teknik dhe administrata e klubit.

Me këtë rast KF Shkëndija falënderon të gjithë ata që kontribuan në realizimin e këtij aksioni humanitar.