Një 14- vjeçar është gjetur i mbytur katër ditë, pasi ishte shpallur i humbur. Valentin Çarkaj kishte humbur prej 4 ditësh dhe familja e tij nuk kishte asnjë informacion përveçse e dinin që ishte nisur për tu larë me një shokun e tij. Kanë qenë vetë familjarët e viktimës ata që e kanë identifikuar trupin e pajetë të të afërmit të tyre.

Valentin Carkaj ishte zhdukur katër ditë më parë, ndërkohë që ditën e djeshme familjarët kërkuan edhe ndihmën e medias për gjetjen e të afërmit të tyre. I mituri kishte shkuar të lahej me një shok në lumë në fshatin Hot i Ri, por ai nuk është kthyer më në shtëpi. Shoku i 14-vjeçarit është rikthyer dhe i pyetur nga familjarët e Valentinit ka thënë se nuk kishte dijeni për se ku ndodhej 14-vjeçari.

Trupi i pajetë i 14-vjeçarit është gjetur në një kanal vaditës me rreth 30 centimetra ujë dhe i mbuluar nga mbeturinat e ujit. Sipas policisë, trupi i Valentin Carkaj është dërguar në Morgun e Spitalit Rajonal Shkodër për të identifikuar dhe përcaktuar shkakun e vdekjes.