Në Idrizovë nuk ka asnjë lëvizje që dëshmon se shkolla fillore e paralajmëruar do të ndërtohet në një të ardhme të shpejtë. Kreu i Gazi Babës, Boris Georgievsi nuk iu përgjigj pyetjeve të Alsat për të sqaruar se cilat janë pengesat për mos nisjen e punimeve ndërtimore. Madje, ai nuk pranoi as të tregoj nëse ka dorëzuar dokumentacion e korrigjuar në Ministrinë e Arsimit.

“Projekti për shkollën në Idrizovë tashmë i dorëzuar nga Komuna e Gazi Babës në Ministrinë e Arsimit është projekti i njëjtë i shkollës fillore “Vera Jociq” që numëron mbi 500 nxënës. Ai do të mbetet i pandryshuar edhe pse shkolla në Idrizovë numëron diku rreth 200 nxënës”.

Nga Ministria e Arsimit pranuan se nuk ka asgjë të re në këtë drejtim. Sipas këtij dikasteri, Komuna e Gazi Babës nuk ka përmbushur konkluzionet e miratuara në Qeveri për zgjidhjen e këtij problemi. Këshilli i prindërve në Idrizovë shprehet i revoltuar ndaj veprimeve të komunës Gazi Babë dhe Ministrisë së Arsimit për mos zgjidhjen e problemit.

Kësaj radhe ne nuk pranojmë asnjë rrugë dalje tjetër përveç hapjes së paraleles në Njegosh. Ata le ta kenë të qartë, le ta bëjnë shkollën, nuk është problem ama nuk pranojmë, kjo hera e fundit ka qenë kur kemi pranuar që fëmijët me transport të organizuar nga komuna të shkojnë në Ognjancë. Mirëpo, kjo ka qenë e fundit herë, ne qëndrojmë pas marrëveshjes që e kemi nënshkruar -tha Bajram Bejta, anëtar i këshillit të prindërve.

Vitin e kaluar, Komuna e Gazi Babës pas refuzoi kërkesën për hapjen e paraleleve shqipe nga klasa e gjashtë deri në të nëntën në shkollën fillore “Njegosh” në lagjen e Jurumlerit, mori vendim për ndërtimin e një shkolle të re në Idrizovë ku do të mësonin të gjithë fëmijët e fshatit. Në mungesë të mësimit shqip në Jurumleri, 11 nxënësit e klasës së gjashtë u shpërndanë në dy shkolla për mësim, në fshatin Ognjancë dhe në Shkup.