Në spitalin kirurgjik të Shkupit “Sveti Naum Ohridski” në periudhën e festave janë pranuar 105 pacientë më lëndime të shkaktuara nga rrugët me ngrica. Këto shifra u bënë të ditura nga drejtoresha e spitalit, Jasmina Çabukovksa për Fokus.mk, transmeton Portalb.mk.

Sipas qytetarëve këto janë pasoja nga mospastrim i trotuareve, për të cilat përgjegjëse është Komuna Qendër. Por nga kjo komunë thonë së pastrimi i trotuareve nuk është në kompetencën e tyre.

“Pastrimi i trotuareve afër rrugëve është detyrë e vetë qytetarëve apo kompanive para të cilëve është trotuari”, tha zëdhënësja e Komunës Qendër, Katerina Canevska.

Krahas trotuareve qytetarët ankohen edhe për rrugët dhe parkingjet në rajonin e qendrës së Shkupit. Pastrimi i borës nga këto rrugë është nën kompetencë të komunës Qendër, por prej atje thonë se punën e tyre e kanë përfunduar dhe se rrugët e vogla janë të pastruara.

Udhëheqësi i sektorit nën kompetencë të së cilit janë edhe pastrimi i borës nuk deshi të komentojë se a janë të pastruara parkingjet dhe tha se secili qytetar mund të paraqitet tek ata dhe të reagojë nëse ka ndonjë parking ose trotuar të pa pastër për të cilën ato janë përgjegjës.