Në Shkup u bë hapja e ekspozitës së kaligrafisë “Qytetet takohen në Shkup”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në hapjen e ekspozitës “Qytetet takohen në Shkup” që u organizua në Galerinë e Arteve në Çifte Hamam nga Unioni i Organizatave Turke të Shoqërisë Civile në Maqedoni (MATÜSİTEB) dhe Instituti Kulturor Turk “Yunus Emre”, morën pjesë kryetari i MATÜSİTEB Hüsrev Emin, zv/drejtori i Institutit “Yunus Emre” Fuat Korkmaz, përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave turke në vend dhe shumë artdashës.

Zv/drejtori i Institutit “Yunus Emre”, Fuat Korkmaz, në deklaratën për gazetarët tha se ekspozitën e kanë realizuar me iniciativën e kaligrafistit të ri Mahmut Enes Kemer dhe kaligrafistëve të tjerë të rinj.

Korkmaz potencoi se institucioni i tyre artin e kaligrafisë si pjesë e traditës turke islame e ka prezantuar në vende të ndryshme.

“Na bën veçanërisht të lumtur realizimi i një ekspozite të këtillë pas përfundimit të kursit në të cilin kishte studentë të kulturave të ndryshme, edhe atë boshnjakë, maqedonas, turq dhe shqiptarë. Ashtu siç e dini, Instituti ‘Yunus Emre’ ka mision ta përhapë artin, letërsinë, kulturën dhe gjuhën në vende të ndryshme”, u shpreh Korkmaz.

Ndërkaq, kryetari i MATÜSİTEB Hüsrev Emin shprehu kënaqësinë që ishte i pranishëm në ekspozitën e një kaligrafisti të ri i cili ka ardhur në Maqedoni si student dhe është bërë i njohur me penën dhe artin e tij.

Duke e përkufizuar ekspozitën si “forma që më së miri reflekton në penë qytetet e ndryshme të civilizimeve islame”, Emin tha se “Ekspozitën mund ta cilësojmë si takim në Shkup i qyteteve që janë nën çatinë e civilizimit të njëjtë. Ne si MATÜSİTEB, duke i nxjerrë në dritë në këto vende vlerat dhe simbolet e civilizimit tonë, do të jemi bashkë dhe do të realizojmë aktivitete, punime dhe përpjekje të ndryshme”.

Nga ana tjetër, kaligrafisti Mahmut Enes Kemer theksoi se në Maqedoni ka ardhur në vitin 2011 si student dhe se këtu ka synuar ta shfaqë para njerëzve artin me të cilin kishte punuar më parë për një kohë të gjatë.

Duke thënë se gjatë studimeve ka arritur t’i arrijë synimet e tij, Kemer u shpreh se “Gjetëm mundësi ta realizojmë një ekspozitë të këtillë edhe me mbështetjen e institucioneve të respektuara. Artin e kalifrafisë, si artizanat turk, po përpiqemi që t’ua japim njerëzve këtu. Me kurset që i kemi organizuar në këtë drejtim, kemi përfituar shokë të popujve të ndryshëm”.

Kemer tha se vjen nga Stambolli dhe se në kurset që ka realizuar ka pasur studentë pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi. “Në këtë drejtim, ne deshëm që t’i mbledhim në një vend qytetet të cilat kanë qenë pjesë e historisë sonë, bartin gjurmë osmane dhe kanë lidhje historike me ne”, vazhdoi Kemer.

Ekspozita do të jetë e hapur për artdashësit nga 16 deri më 22 nëntor.