Bashkimi Demokratik për integrim ka filluar vendosjen e përmendoreve të figurave të shquara historike dhe simbolet kombëtare nëpër periferi të Shkupit, duke harruar kështu përmendoret shqiptare që duhet të jenë pjesë e Projektit “Shkupi 2014” dhe duhet vendosur në qendër të Shkupit. Profesori universitarë Vebi Xhemaili shprehet se politika shqiptare ka dështuar në vendosjen e përmendoreve. 

“Deri tani politika jonë shqiptare ka rënë prej provimi për arsye se është dashur me kohë të vihen ato përmendore që shqiptarët ta ndjejnë vetën se edhe ato figurojnë këtu dhe janë pjesëmarrës të barabartë në këtë shtet”, tha Vebi Xhemaili, profesor universitar.
Derisa për Mersel Bilallin mos-vendosja e figurave shqiptare në sheshin e Shkupit paraqet degradim total për etnitetin shqiptarë në Maqedoni.

“Strukturat që menaxhojnë me fatin tonë, ose me fatkeqësinë tonë dëshirojnë ta kompensojnë këtë në mënyrë të mbrapshtë, duke ndërtuar statua të ndryshme dhe përmendore në periferi, madje do të kisha thënë lirishtë edhe pas kasollave që mos t’ia prishin disponimin patronit kryesorë i cili menaxhon me shtetin, pra kjo është një fatkeqësi e jona kolektive”, u shpreh Mersel Bilalli, profesor universitar.

“Po mendoj se me të vërtetë është një degradim i atyre figurave, veçanërisht figura e Isa Boletini, i cili për çështjen kombëtare shkon deri në Londër. Prandaj këto figura eminente duhet të jenë në Shkup, ashtu siç është Goce Dellçev që kurrë nuk e ka parë Shkupin, kurse Isa ka luftuar për Shkupin”, theksoi Vebi Xhemaili, profesor universitar.

Derisa shqiptarët kërkojnë përgjigje se kur do të zbarkojnë në qendër të Shkupit, Josif Bageri, Nexhat Agolli dhe Pjetër Bogdani, Serbët e Maqedonisë janë treguar më të shpejtë kanë vendosur edhe një përmendore në Shkup. Bëhet fjalë për përmendoren e carit mesjetar serb, Jovan Ugljesha.