Mjegull, tym dhe ajër i ndotur. Me këto pamje sot u zgjuan qytetarët e Shkupit dhe Tetovës. Në këto dy qytete, stacionet matës për cilësinë e ajrit kanë regjistruar përqendrim më të madh të grimcave PM10. Rektorati, Qendra, Karposhi dhe Novo Lisiçeja janë vendbanimet më të ndotura në Shkup, ku grimcat kanë kaluar për disa herë nivelin e lejuar. Edhe sot Shkup ishte në listën e 20 qyteteve më të ndotura në botë.

Me vetë fillimin e dimrit fillon edhe mbushja e Klinikave për sëmundje të mushkërive nga ana e qytetarëve që ankohen për vështirësi gjatë frymëmarrjes. Më të prekur janë fëmijët. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, ndotja e ajrit shtetit i kushton rreth 300 milion euro në vit për shërbime shëndetësore, ndërsa sipas organizatës botërore shëndetësore si pasojë e ndotjes në nivel vjetor në vendin tonë vdesin rreth 1.300 njerëz.

Në vitet paraprake kompetentët më shpesh i aktivizonin masat dhe rekomandimet kundër ndotjes. Ato aktivizohen nëse dy dytë me radhë grimcat PM10 janë mbi 200 mikrogram në metër kub.

Sipas programit qeveritar për ajër të pastër, ndotja e ajrit në Shkup deri vitin e ardhshëm duhej të jetë e reduktuar për 50%, ndërsa në qytetet tjera nga 30% deri në 50%./Alsat/