Në Qytetin e Shkupit ka kuadër të pakualifikuar, administratë jo adekuate për punën që bën dhe do të mundohemi në afat të shkurtër këtë problem ta zgjidhim, ka deklaruar kreu i Shkupit Petre Shilegov. Ai gjithashtu tha se Qyteti i Shkupit do të fillojë të punojë në dy ndërrime prej orës 7 e 30 deri në orën 19 e 30 dhe do të ketë dy pauza gjatë orarit punues, njofton Koha. Gjithashtu, Shilegov paralajmëroi se në komunë do të sillet sistem një-sportel me qëllim që shërbimet të jenë të thjeshta dhe transparente. Kryetari i ri i Shkupit vlerëson se ka nevojë serioze për ndryshime në sistemin e nxjerrjes së biletave të autobusëve të NTQ, në drejtim të çmimit dhe shërbimeve, duke mos precizuar për ndryshime konkrete eventuale. Po ashtu, Shilegov tha se ka plan për regjim komunikacioni në Vodno. “Pres pas 15 nëntori ta realizojmë të njëjtin. Do të ketë dy pika ku do të shkojnë linjat publike. Qytetarët mund ti parkojnë veturat e tyre dhe të shkojnë në Vodno”, tha Shilegov. Ai paralajmëroi se më 15 nëntor do të ketë plan të plotë se çka do të ndërmerr Qyteti i Shkupit për luftë kundër ndotjes së ajrit. “Do të ketë aksion për pastrimin e Shkupit. Kemi disa masa të cilat do ti bëjmë të ditur për dhjetë ditë. Prej pranverës do të punojmë në gjelbërimin e qytetit. Një nga masat është transport me autobus falas për të gjithë”, paralajmëroi Shilegov. Kreu i ri i Shkupit Shilegov ka demantuar informatat se paraardhësi i tij Koce Trajanovski e ka lënë arkën e mbushur me para.