Partitë, gjatë fushatës njëzetditore zgjedhore, kanë shpenzuar më shumë sesa që fitojnë, thuhet në raportin e organizatës joqeveritare “Transparency International”, në lidhje me shpenzimin e parave gjatë procesit zgjedhor. Prej rreth 88 milionë denarëve të ardhura, janë shpenzuar rreth 195 milionë denarë.  VMRO-DPMNE për rreth 100 milionë denarë, BDI për rreth 10 milionë denarë dhe Besa për rreth 2.5 milionë denarë, kanë më shumë shpenzime sesa të ardhura të paraqitura. Pjesa më e madhe e parave, janë shpenzuar në reklamat nëpër televizionet, programet dhe materialet propaganduese, për tubimet, transportin dhe takimet me qytetarët. PPD është e vetmja parti e cila nuk ka dorëzuar raport financiar për shpenzimet e bëra. Kryetarja e “Transparency International”, tha se janë bërë  shumë shkelje të ligjit, transmeton TV21.

“Kemi ca raste që janë të paqarta, për shembull siç është sponsorizimi personal i fushatës. Konsiderojmë se edhe kjo gjë nuk është e lejuar, sepse ligji është i qartë: të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje të subjekteve politike duhet të përcaktohen se a do të marrin pjesë si koalicion, si parti ose si kandidat të pavarur. Ata që janë kandidatë të pavarur,  mund vetë të sponsorizohen dhe vetë të mbajnë llogari për këtë, por nëse jeni kandidat në koalicion, nuk mundeni vetë të sponsorizoheni për fushatë, ndërsa ne këtë e kemi vërejtur gjatë fushatës dhe konsiderojmë se sipas ligji kjo është shkelje”, u shpreh Sllagjana Taseva, Kryetar i “Transparency International”.

Taseva shtoi se ky raport është preliminar dhe se në të nuk ka shumë informacione, sepse partitë ende nuk kanë dorëzuar të dhënat siç janë shpenzimet për shërbimet e komunikimeve, për shërbimet komunale dhe ngrohje, si dhe për shërbimet e transportit. Raporti përfundimtar do të publikohet në vitin e ardhshëm diku në mes të muajit janar.