Nga shtypshkronja “Kiro Dandaro” në Manastir, deri te 80 njësi komunale zgjedhore dhe Qytetin e Shkupit nën shoqërim të përforcuar të policisë filloi shpërndarja e materialit votues.

“Ka shumë materiale, ashtu siç e di i gjithë opinioni, kemi numër rekord të listave të kandidatëve të pavarur dhe lisave të pavarura, kemi më shumë koalicione, andaj kemi më shumë materiale për të bartur dhe shpresoj se në rrethin e dytë, jo vetëm që shpresoj por jam i sigurte se do të ulet ky numër për shkak se nuk do të kemi lista këshilltarësh, do të kemi nga dy kandidatë, ndërsa në disa komuna procesi zgjedhor do të mbyllet në rrethin e parë, kështu që do të kemi më pak punë”, tha Aleksandër Dashtevski, kryetar i KShZ-së.

Për shkak të numrit rekord të listave dhe kandidatëve, janë shpenzuar 60 tonelata letër për materialet votuese.

“Ishin 80 komuna, d.m.th. këshill, kryetarë komune, që janë 160 fleta të ndryshme, 10 komuna në Shkup, kemi Këshill dhe Kryetarë komune, d.m.th. 180 fleta të ndryshme. Në këto 180 ka në dy – tre gjuhë, kemi në gjuhën maqedonase, maqedonase – shqipe, maqedonase – turke, maqedonase – serbe, maqedonase – rome dhe shqipe. Ka shumë lloje të fletave”, deklaroi Dragi Milloshevski, drejtor i “Kiro Dandaro”.

Zgjedhjet lokale do të mbahen të dielën më 17 tetor në 3480 vendvotime, ndërsa për herë të parë në këto zgjedhje identifikimi i votuesve do të bëhet me pajisje për identifikim biometrik, përkatësisht me lexues të gjurmëve të gishtave.

Do të zbatohen masat për mbrojtje nga Kovid-19. Një ditë më parë, përkatësisht të shtunën, të parët do të votojnë personat e sëmurë dhe të pafuqishëm, personat me Kovid-19, ata që janë në vetë-izolim, të burgosurit, personat në paraburgim dhe personat që gjenden në shtëpitë e të moshuarve./REL