Një ditë para mbajtjes së Këshillit të BE-së tashmë është e pritshme që Maqedonia përsëri do të mbetet para dyerve të Unionit të bllokuara nga Bullgaria. Kryeministri Zoran Zaev i cili ishte në vizitë te ambasadorja portugeze Marija Virzhinja Pina, vetëm shkurt deklaroi se Maqedonia duhet të jetë pjesë e BE.

“Dëshmuam se si shtet kemi demokraci funksionale multietnike, e cila është fuqishëm e përcaktuar për vlerat evropiane. E kemi të rëndësishme mbështetjen e vendeve anëtare të BE. Por, qëndrimi ynë është se për atë që kemi punuar është koha që të na jepet mirënjohje përmes hapërimit konkret në rrugën tonë euro-integruese”, tha Zoran Zaev.

Me deklarata tashmë të njohura se Maqedonia duhet të fillojë negociatat dhe se është shumë e rëndësishme që të vazhdojë bisedimet për çështjet e hapura me Bullgarinë, foli edhe euro-ambasadori Dejvid Gir. A do të kemi propozim të ri pas atij portugez? Ai nuk u përgjigj konkretisht, e nuk deshi të komentojë sjelljen dhe retorikën e një pjese të personaliteteve politike bullgare, posaçërisht të euro-deputetit Angell Xhambaski i cili tha se Maqedonia është shtet bullgar.

“Sigurisht se i vlerësojmë përpjekjet që të zgjidhjen çështjet e pazgjidhura mes RMV dhe Bullgarisë. Kjo është me të vërtetë e rëndësishme dhe diçka për të cilën bëjmë thirrje sa i përket hapjes së negociatave. Mund të përsëris atë që e thotë lidershipi i BE. Shpresojmë se negociatat do të hapen sa më shpejt. Sa i përket vërejtjeve të dhëna nga disa politikanë të shteteve tjera dhe deputet nga vendet anëtare, unë nuk mund ta komentoj këtë gjë, nuk është praktika ime”, deklaroi Gir.

Nesër mbahet Këshilli i fundit i BE me të cilin kryeson Portugalia, ndërsa Sllovenia e merr kryesimin nga 1 korriku. Para mbajtjes së takimit, kryeministri Zaev për TV21 informoi se propozimi që ai ia ka dorëzuar Sofjes nuk i referohej aspak çështjeve të gjuhës dhe identitetit maqedonas. Shpjegoi se propozimi që është dorëzuar në Bullgari është Udhërrëfyesi, ku thuhet se të dyja palët janë të angazhuara për rritjen e efikasitetit në të gjitha fushat e bashkëpunimit me afate të caktuara dhe institucione përgjegjëse, përfshirë propozimin për intensitetin e punës së Komisionit historik dhe arsimor mes dy vendeve.