Atmosferë fantastike, stadium i mbushur me kapacitet të plot dhe entuziazëm në tribuna. Kështu do të jetë debutimi i Shqipërisë, në kualifikueset e Botërorit 2018. Mbështetja në Loro Boriçi ndaj Maqedonisë do të jetë maksimale. Kjo konfirmohet nga Federata Shqiptare e Futbollit, që saktëson se më tepër se 90 për qind e biletave kanë përfunduar në duart e tifozëve.

Pas shitjes online, ku disponueshmëria për biletat në tribunën D përfundoi në kohë rekord, e njëjta ndodhi edhe me biletat që u hodhën në treg, në pikat e shitjeve në Tiranë, Shkodër dhe Elbasan. Praktikisht “Loro Boriçi” do të jetë plot me tifozë kuqezi, ndërsa në treg janë ende edhe pak vende në sektorë të caktuar mbrapa portave, ku edhe ato pritet të shiten deri në startin e ndeshjes.

Sipas Federatës së Futbollit, e vetmja tribunë e boshatisur në debutimin e Shqipërisë, do të jetë E5, e cila ishte e rezervuar për tifozët miq. Pasi konfirmoi prezencën e 400 mbështetësve, Federata e Maqedonisë u tërhoq, duke njoftuar edhe zyrtarisht në FSHF, se asnjë tifoz mik nuk do të jetë i pranishëm në Shkodër. Në situatën e krijuar, FSHF po konsultoohet për të nxjerrë në shitje edhe biletat në tribunën E4, që në rast të prezencës së tifozëve miq mund të qëndronte e boshatisur për arsye sigurie dhe për të garantuar mbarëvajtjen e ndeshjes.

Shqipëria do të kërkojë t’i nisë me fitore kualifikueset e Botërorit 2018 dhe e garantuar është që më 5 Shtator Kombëtarja kuqezi do të ketë mbështetjen maksimale të afro 16 mijë tifozëve në stadium dhe miliona shqiptarëve në mbarë botën.

Video Player