Shtetet e rajonit nga sot lehtësojnë masat për mbrojtje nga Koronavirusi. Pas rënies së numrit të të infektuarve në bazë ditore, Shqipëria dhe Kosova rihapën kufijtë tokësor dhe çerdhet. Në ditën e parë të lirisë për lëvizje, kolona të gjata u bënë në pikë-kalimin mes këtyre dy shteteve, në Vërmicë.

Personat që hyjnë në Shqipëri nuk kanë asnjë detyrim, ndërsa personat që hyjnë në territorin kosovar nëse nuk kanë test negativ PCR për Koronavirus detyrohen të vetë-izolohen për 7 ditë. Ndërkohë çerdhet u rihapën, nën masa për mbrojtje nga COVID 19.

Kopshti është dezinfektuar dy herë në ambientet e brendshme dhe të jashtme të tij. Bëhet dezinfektimi i këmbëve të fëmijëve sapo hynë në kopsht. Prindërit nuk lejohen të hyjnë brenda. Bëhet dezinfektimi i duarve dhe pastaj fëmijët vazhdojnë rutinën -u shpreh një punonjëse në çerdhe, Shqipëri.

Kosova rihapi objektet e gastronomisë dhe qendrat tregtare. Shqipëria rihapi plazhet që menaxhohen nga hotele dhe restorante e të cilat do të mund të frekuentohen edhe nga qytetarët prej 6 qershorit, ndërsa planifikon që nga 23 qershori t’i rihap pishinat, teatrot, kinematë, klubet e natës dhe të lejohet mbajtja e tubimeve e konferencave.

Greqia hapi çerdhet, shkollat fillore, kinematë, bibliotekat, disa gjykata. Ndërsa bëhet gati për sezonin turistik Greqia vendosi t’i mbulojë shpenzimet e turistëve që mund të infektohen me Koronavirus përgjatë pushimeve në plazhet greke. Së fundmi edhe Bosnje Hercegovina hapi kufijtë ndaj Serbisë, meqë kjo e fundit i hapi kufijtë kohë më parë me të gjitha vendet e rajonit.