Shqipëria e ka nisur në mënyrën më të keqe kampanjën e kualifikuesve për Evropianin e vitit 2020.
‘Kuqezinjët’ kanë pësuar humbje në ‘Loro Boriçi’ 2-0 nga Turqia.

Shqipëria qysh para ndeshjes kishte pësuar goditje të shumta, kur Thomas Strakoshës iu vonua aeroplani ndërsa trajneri Panucci vendosi ta suspendonte atë nga ekipi për dy ndeshjet e këtij muaji. Goditja tjetër ishin edhe lëndimet e shumta, çka u desh të ftonte lojtarë tjerë.

Italiani vendosi ta ftonte Emir Lenjanin, por ky i fundit vendosi ta braktiste Kombëtaren dhe ta refuzonte ftesën.

Pavarësisht se e nisën mirë takimin, ekipi i Shqipërisë pësoi gol pas 21 minutave, kur Gjimshiti gaboi në mbrojtje, ndërsa Burak Yilmaz i dha epërsinë mysafirëve.

Në vazhdim ekipi i Panuccit u mundua ta barazonte rezultatin, por e pësoi edhe një goditje tjetër, kur Hakan Calhanoglu (55′) vulosi rezultatin 2-0, pas një mungese kordinimi në fazën defanzive.

Kjo ishte ndeshja e 14-të e Shqipërisë nën drejtimin e Panuccit, derisa ka pësuar 8 humbje, 2 barazime dhe ka realizuar 4 fitore.

Derisa thirrjet për shkarkimin e tij vazhduan edhe sot nga tifozët e pranishëm në stadium, ani pse kjo ishte kërkuar kohë më parë. Megjithatë, Armando Duka vendosi t’i besonte atij për ndeshjet kualifikuese për Euro 2020.