Federata Shqiptare e Futbollit me anë të një njoftimi përmes faqes zyrtare ka publikuar një lajm ku njofton se skuadra dhe vetë institucioni po dëmtohet nga profilet fallco në internet.

Deklaratat e “pamenduara” nga lojtarë të caktuar nga profilet e tyre jo të vërteta dhe përhapja e tyre nga mediat ka qenë në fokusin e FSHF-së.

Më poshtë mund ta gjeni reagimin e plotë të FSHF-së.

“FSHF shpreh keqardhjen që në këtë moment fantastik të historisë së futbollit tonë që po e jetojmë të gjithë së bashku falë djemve të Kombëtares, trajnerit dhe ekipit drejtues të FSHF, një profil fallco në facebook dhe një status i rremë i Xherdan Shaqirit marrin jehonë përmes portalesh të caktuara duke dëmtuar imazhin e FSHF. Ne vlerësojmë çdo pikepamje kritike mbi punën dhe nuk mund t’i heqim të drejten askujt që të mendojë se Kombëtarja duhet të fitojë çdo ndeshje dhe uron që fallcitetet e profileve të rremë në facebook të mos perfshihen në debatin e shëndetshëm pasi dëmtojnë rëndë Kombëtaren në këtë moment historik. FSHF u është mirënjohëse të gjithë lojtarëve të Kombëtares për përkushtimin e tyre maksimal dhe pavarësisht fjalëve që i merr era, ka bërë e do të bëjë vetëm një politike: Dyer të hapura për këdo sipas meritës”.