Shqipëria është përfshirë nga përmbytje masive që në orët e para të ditës së djeshme. Përmbytjet kanë vërshuar nga Veriu në Jug të vendit duke shkaktuar edhe tre viktima dhe duke e bërë edhe më tragjike situatën, ndërkohë që niveli i reshjeve do të jetë edhe më i lartë sot edhe nesër. Dy viktimat e para u shkaktuan në rrethe ndërsa i treti u shënua në kryeqytet. Rasti i parë ishte vdekja e Xhevahir Ndoi nga Bashkia e Klosit. 42-vjeçari është rrëmbyer nga uji së bashku me makinën e tij në vendin e quajtur Plan i Bardhë. Pavarësisht ndihmës që i është dhënë, viktima nuk ka mundur që të shpëtojë. Rasti i dytë është shënuar në fshatin Sukë të Këlcyrës, ku një 50-vjeçar ka humbur jetën pasi është rrëzuar nga çatia e shtëpisë si pasojë e erës së fortë. Mësohet se viktima e dytë nga moti i keq është Kastriot Spahiu, 50 vjeç, i cili kishte hipur në çati për të bërë disa riparime. Era e fortë ka bërë që 50-vjeçari të bjerë nga çatia e shtëpisë. 50-vjeçari ka pësuar dëme të mëdha në kokë dhe pavarësisht ndihmës së menjëhershme që i është dhënë nga të afërmit, ai ka ndërruar jetë menjëherë pas aksidentit tragjik. Ndërkohë, sa i parketet rastit të viktimës së tretë ai është shënuar në kryeqytet. Po rreth orës 13:30 të ditës së djeshme, efektivët e komisariatit nr. 5 në Kamëz kanë njoftuar se kanë gjetur trupin e një personi të pajetë buzë Lumit të Tiranës. Pas verifikimeve të bëra, policia njoftoi se bëhet fjalë për Bajram Lala. Ky është identifikuar nga i biri dhe rezulton se është mbytur në Lumin e Tiranës gjatë kohës që ka qenë me dele në afërsi të Institutit Bujqësor. Ndërkohë thuajse në të gjitha qytetet e vendit ka pasur përmbytje të mëdha dhe bllokim të qarkullimit të mjeteve si pasojë e reshjeve të mëdha. Për këtë arsye Ministria e Arsimit urdhëroi edhe pezullimin e mësimit në orët e para të ditës dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme rakorduan shoqërimin e nxënësve në shtëpi në zonat më problematike. Ndërkohë mësimi është pezulluar  pa afat në të gjithë vendin dhe do të ketë një njoftim të dytë nga autoritetet se kur do të nisë. “Për shkak të situatës se emergjencës në vend me porosi te Ministrit te Brendshëm njoftojmë mbylljen e procesit mësimor. Procesi i pezullimit do të vijojë deri në një urdhër të dytë”, thuhej në njoftimin e MAS. Ndërkohë dje janë evakuuar rreth 180 familje nga banesat. Në zona si Shkodra e Lezha u ndërhy me varka dhe me helikopter. Mes të evokuarve ka patur fëmijë dhe të moshuar, ndërsa kishte dhe nga ata që nuk donin të largoheshin nga banesat.

Dëmet materiale

Krahas bilancit të tre viktimave, përmbytjet që përfshinë dje gjithë vendin kanë shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale. Qytetet më të prekura rezultojnë Durrësi, Fushë-Kruja, Lezha, Shkodra dhe Përmeti, ku ujërat kanë vërshuar në rrugë duke përpirë gjithçka. Më dramatike paraqitet situata në Fushë-Krujë, ku reshjet e dendura të shiut shkaktuan shembjen e disa banesave, duke rrezikuar seriozisht edhe disa të tjera. Lumi Zezë për shkak të prurjeve të mëdha është shndërruar në një kërcënim të madh për banorët e këtyre zonave. Vërshimi shembi edhe muret e banesave në këtë zonë duke ngjallur panik edhe pasiguri në të gjithë zonën. Banorët e Fushë-Krujës nuk presin dëmpshërblime për dëmet që kanë pësuar si pasojë e përmbytjeve të mëdha, por kërkojnë sistemimin e këmbëve të urave mbi lumin Zezë, pasi sipas tyre janë bërë pengesë për rrjedhjen e ujit, që për pasojë përbën rrezik serioz për fryrjen dhe daljen e tij nga shtrati. E njëjta situatë problematike është shënuar edhe në dalje të Milotit, ku disa familje duket se do ta kalojnë këtë dimër në prani të ujit. Edhe më herët familja Tafa dhe Lleshi janë ankuar se askush nuk ka marrë masa për t’i ndihmuar, ndërsa reshjet kanë shkaktuar probleme edhe në Shullaz të Kurbinit. Po ashtu, reshjet e dendura të shiut që përfshinë gjatë natën por dhe ditën e djeshme në mbarë vendin kanë shkaktuar probleme edhe në Mirditë, ku është dëmtuar unaza e qytetit pas prurjeve të lumit Zmea. Sipas të dhënave, mësohet se unaza është nxjerrë jashtë funksionit. Sakaq, bëhet e ditur se fshati Kaçinar është izoluar pasi është përmbytur ura e Cekave, ndërsa banorët kanë ngelur të izoluar. Në të gjithë vendin janë përmbytur dhjetra hektarë tokë.