Shkruan: Latif ARIFI

Tashmë kur edhe  vetëm  dy ditë na ndajnë nga  rrethi  i dytë  i zgjedhjeve presidenciale, dilemat sa vijnë edhe shtohen. Duhet  të dalim përballë kutive të votimit ose  t`ua kthejmë shpinën të njëjtave.

Nëse do të ndalemi dhe të analizojmë se çfarë në të vërtetë i karakterizuan këto zgjedhje, vijmë në përfundim se këto zgjedhje presidenciale, të pestat me rradhë, që nga pavarësimi i Maqedonisë edhe pse në dukje kaluan të qeta dhe me një proces rregullt zgjedhor, në përjashtim të qytetit të Dibrës, ku i gjithë aparati shtetëror ishin në shërbim të kandidatit të BDI-së, mund të thuhet se këto zgjedhje  për koalicioni e presidentit të konceptit ishin zhgënjyese dhe shumë larg pritshmërive  të tyre .

Nëse  në bllokun politik maqedonas, rezultati  thuajse  ishte deri diku  i pritshëm,  sidomos për  Kryeministrin Zaev dhe qeverinë e tij, pasi që ishe shumë e qartë se ai në këto zgjedhje do të pësonte keq, kryesisht për shkak të veprimeve politike, që për shumicën e maqedonasve ishin dhe vazhdojnë të jenë  të papranueshme, sidomos marrëveshja e Prespës, pastaj ndryshimet kushtetuese bashkë me ndryshimin e emrit të shtetit, stagnimi ekonomik bashkë me largimin e të rinjëve, ishin ndër shkaqet kryesore për rezultatin e dobët në këto zgjedhje.  Kurse sa i përket opozitës maqedonase, lirisht mund të thuhet se ishte befasia  e këtyre  zgjedhjeve. Pas krizës politike që kishte kapluar këtë parti dhe debaklit  që pësoi në zgjedhjet lokale, për çudi  brenda një kohe shumë të shkurtë thuajse u rikoperua dhe dallimi prej vetëm 4600 votave, më pak nga kandidati i pushtetit, i mbështetur nga 31 parti politike, mund të jep shpresë se rezultati edhe mund të përmbyset me 5 maj.

Sa u përket  zgjedhjeve në bllokun politik shqiptarë,  zgjedhjet nuk kaluan edhe aq mirë. Edhe në këtë bllok zhgënjimi është shumë herë  më i madh se sa te maqedonasit dhe kjo më së miri u vërejtë me daljen e dobët të shqiptarëve në zgjedhje, ku  në komunat etnikisht të pastra shqiptare, dalja mezi u arrit  20%.  Arsyet janë të shumta. Përveç një numri të madh të shqiptarëve që tashmë janë larguar nga vendi, një arsye e bojkotit të heshtur të shqiptarëve,  sigurisht se  është edhe zhgënjimi i madh i tyre,  nga ekipi i komandantit të pamposhtur, të dalë nga gryka e pushkës dhe njeriut me shkollën më të mirë të propagandës, të kalitur në shërbimet më të mira të rajonit , të cilët tashmëjanë  të harxhuar dhe diskredituar totalisht para shqiptarëve.

Ky mllef i ndaj kësaj klase politike i akumuluar për vite  edhe pse në rrethin e parë, një pjesë bukur të madhe të shqiptarëve i la në shtëpi, por prapëseprap një pjesë tjetër e këtij mllefi, shpërtheu si vullkan, duke dalë  mbështetje të  të vetmit kandidat shqiptarë, profesorit të nderuar Blerim Reka.  Vetë rezultati dhe 80 mijë votat e Profesorit Reka, kundrejt 20-25 mijë votave, bashkë të Ali Ahmeti, Thaçit,  e Vesel Memedit për kandidatin e konceptit    në të gjitha vendbanimet shqiptare, janë tregues më i mirë i vullnetit të shqiptarëve.

Shqiptarët kësaj rradhe folën qartë shkurt e  SHQIP. I thanë kësaj klase politike që ka qeverisur për 18 vite me shqiptarët  se: “koha juaj ka mbaruar”. Shqiptarët pas 21 prillit  nuk kanë më tepër më nevojë për shërbimet e “shkollës suaj ”, po kanë nevojë për shërbimet e një shkolle tjetër, të re, të njerëzve të ditur si Blerim Reka. Ata kanë nevojë për një ushtri të njerëzve të rinj e të ditur,  e që nuk e kanë pasur kurrë “bishtin e shkelur”,  si puna e bujarave, merkove, kuajve të shemos, e të atyre që u duket vetja 24 karat dhe mbi të cilët rëndojnë një mal me akuza korruptive  dhe janë shantazhuar me lëndët që qëndrojnë të mbyllura në sirtarët e gjykatave.

Shqiptarët folën me 21 prill. Ishin ata që  luajtën  një rol të rëndësishëm,  duke mbrojtur votën  dhe nderin e shqiptarëve . Ata nuk lejuan që vota e tyre të shkoj për subjekte politike maqedonase, e as më pak për  kandidat që që nuk dallojnë për asgje nga njëri tjetri , që me spotet e tyre haptas kanë për synim përfitimin e votueseve shqiptarë me sekuenca të ngjarjeve të ndryshme të ndodhura kundrejt shqiptarëvenë e që  në mënyrë të skajshme nënvlerësojnë inteligjencën e votueseve shqiptarë.

Shqiptarët do të jenë po ata, që do të flasin edhe me 5 maj,  duke mos përkrahur asnjërin nga dy kandidatët  dhe partitë e tyre.  Në heshtje dotë shprehin revoltën e tyre, duke ndenjur në shtëpi me qëllim që mos të arrihet cenzusi mi nevojshëm , duke përjashtuar përfundimisht  këtë formë të zgjedhjes së presdidentit të shtetit dhe  njëkohësisht duke kontribuar në gjetjen e  rrugës së   një zgjidhjeje  politike ,  ku presidenti do të zgjidhej në Kuvend, me konsensus të plotë ndërmjet dy popujve shumicë dhe ku njëri nga tre postet kryesore të shtetit do të ishte i garantuar për shqiptarët që  sot, e jo pas shumë viteve kur do ”piqet fara e hedhur” e koncepti  të Ali Ahmetit.  Prandaj Sovrani jeni  ju, shqiptarët që  kanë dinjitet dhe që nuk do  lejojnë  të  mashtrohen nga mashtrues që na kanë mashtruar për 18 vite./fol.mk