DRILON KUÇI

“Dnevnik: Ali Ahmeti, kryeministër i ardhshëm i Maqedonisë”. Është kjo një gënjeshtër të cilën me të madhe po e përhapin portale në gjuhën shqipe të afërta me VMRO-në, e që e përkrahin edhe partnerin e DPMNE-së, BDI-në. Kurse e vërteta është ndryshe- Ali Ahmeti, e jo gazeta, ka thënë një gjë që më herët e ka thënë edhe Amdi Bajrami, e ajo është se e paramendon veten kryeministër pas zgjedhjeve. Ligji askujt nuk ja ndalon ta paramendojë veten kryeministër të Maqedonisë pas zgjedhjeve! Mirëpo, kush mund t’i besojë se do të bëhet kryeministër një politikan i cili na gënjeu në zgjedhjet e kaluara se partia e tij do ta marrë postin e kryetarit të Parlamentit, e pastaj hoqi dorë menjëherë pas zgjedhjeve.

Ose kush mund t’i besojë një politikani i cili publikisht premtoi se një ish politikan nuk të jetë rektor në UNT, e pastaj për rektor të emërohet një ish deputet, ministër, ambasador dhe funksionar i lartë partiak.

Është ky stil tipik manipulues, për mediume që përkrahin një parti e cila nuk ka realizuar asgjë, prandaj mungesën e projekteve të realizuara mundohet ta kompensojë me imagjinatë.

“Ali Ahmeti afron Shkupin me Prishtinën dhe Tiranën” është manipulimi i radhës, kur dihet mirë se të gjitha rrugët shqiptare që po ndërtohen në Ballkan, ndërprehen pikërisht në Maqedoni, ku Ali Ahmeti dhe partia e tij BDI janë në pushtet. Kjo vlen edhe kur bëhet fjalë për rrugën e Arbërit, e cila ndërprehet në Dibër të Madhe (Maqedoni) edhe për autostradën “Arben Xhaferi”, e cila ndërprehet në Bllacë. Dhe në vend që të kërkojnë falje për këto dështime, kandidatët e BDI-së dalin e lavdërohen me këto projekte të premtuara e të parealizuara, njëjtë siç lavdërohej Millosheviqi pas çdo humbje që pësonte në luftërat e ish Jugosllavisë.

Mirëpo një partie e cila mbi 10 vite është në pushtet, e nuk ka realizuar asgjë për votuesit e saj, nuk i mjaftojnë vetëm disa rrena, por i duhen shumë rrena për të manipuluar opinionin. Nevojiten rrena në reklama parazgjedhore, në tubime, në fshatra e qytete. Mirëpo si duket një gjë nuk e ka parasysh BDI-ja: shqiptarët nuk janë serbë dhe rrenat e Millosheviqit nuk kalojnë te ne.

 

ahmeti-56