Shtatë palë gërshërë po shpërndahen për ta prerë shiritin e hapjes së tribunës në stadiumit e FC Shkupit.

Nga një copë shiriti e prenë Visar Ganiu, Izet Mexhiti, Bujar Osmani, Muhamet Sejdini e Artan Grubi, ndërsa edhe pse iu ofrua Kryetari i Qytetit të Shkupit Petre Shilegov nuk deshi t’i kapë gërshërët.

I pari që hyri në stadium ishte Muhamet Sejdini kryetar i Federatës së futbollit të Maqedonisë.

“Ne jemi të kënaqur për shkak se këtë projekt e realizuam të gjithë së bashku dhe është projekt më se i nevojshëm për shkak se ju e dini klubi i futbollit Shkupi është një klub me shumë traditë të madhe. Çdo herë kemi pasur mangësi të hapësirës për t’i shikuar lojërat, për shkak se interesi është shumë i madh”, tha Visar Ganiu – kryetar i Komunës së Çairit.

Por në kontratën e Ganiut i cili lidhi me qytetarët në zgjedhjet komunale të vitit 2017 u kishte premtuar se bashkë me tribunën do të ndërtohet edhe salla e sportit “Partizani”. E kjo e fundit nuk u ndërtua.

“Palestrën partizani e kemi pasur bashkërisht ta ndërtojmë me Qytetin e Shkupit për shkak se ju e dini një pjesë e tatimeve kalojnë atje dhe ne kemi kërkuar që me investime kapitale të cilat projekte i kemi të gatshme të investohet. Mirëpo për shkak të përfshirjes të Covidit disa nga prioritet i kemi spostuar”, shtoi kryetar i Komunës së Çairit, Visar Ganiu.

Rinovimi i stadiumit është financuar nga institucioni më i lartë i futbollit në Evropë, UEFA. Për realizimin e punimeve, është kujdesur Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut dhe Komuna e Çairit. Ky investim ka kushtuar mbi 1 milion e 300 mijë euro.