Për të tretin vit me radhë shtëpia e kulturës në Tetovë, po përballet me probleme të shumta në funksionimin e saj. Si problem kyç që vite me radhë i përsëritet këtij institucioni, është mungesa e naftës për nxehje gjatë periudhës së dimrit, edhe atë, pikërisht në kohën kur aktivitetet janë me bollëk. Ministria e kulturës e Maqedonisë, gjithnjë kur mediat janë interesuar për këtë problematikë, kanë deklaruar se së shpejti do të lëshohen mjetet për furnizim me naftë të këtij institucioni.

Por, nëse shtëpia e kulturës ka pasur nevojë për 60 ton naftë (hipotetikisht thënë) të njëjtës i janë lëshuar gjashtë tonelata, vetëm sa për të thënë se janë lëshuar mjetet për naftën ndërsa aktivitetet kulturore, shkaku i mungesës së naftës për nxehje, ose janë realizuar në të ftoftë ose janë anuluar tërësisht. Dhe pikërisht, kur vjen sezoni i verës, me të gëzuar të punësuarit e këtij institucionit se u ngroh koha dhe do mund të punojnë në kushte më njerëzore, të njëjtës, i ndalet energjia elektrike, kjo, jo sepse nuk janë paguar faturat në kohë, por sepse Ministria e Kulturës, që përfaqësohet nga sekretar shqiptar në të, (Behixhudin Shehabi), nuk paguan faturat në kohë, dhe firmat bllokojnë xhirollogarinë, duke i marrë mjetet e destinuara për energjinë elektrike. Dhe puna e tyre, sërish pamundësohet të zhvillohet në kushte normale, dhe po e përsëris sërish, duke pasur sekretar shtetëror shqiptar në këtë ministri, i cili, se sa i del zot punës në ndihmë të institucioneve shqiptare, ju lë juve të vlerësoni.

Por, problemet e këtij institucioni nuk përfundojnë këtu.

Ditë më parë në media u liferua një informacion gjoja se, objektit të ri të Teatrit dhe bibliotekës së Tetovës, i janë shkurtuar mjetet për një milion euro, dhe ky shkurtim, sipas Sekretarit Shtetëror në Ministri të kulturës, Behixhudin Shehabi, ka ndodhur shkaku se nuk janë përdorur sepse citoj: “duke u nisur nga analiza e shfrytëzimit të mjeteve është vendosur që Teatrit të Tetovës ti tërhiqen këta mjete”, që le të kuptosh se mjetet e dedikuara për ndërtimin e objektit të ri, nuk janë shfrytëzuar në kohë?!

Duke u nisur nga përvoja ime si gazetar që kam ndjekur që nga fillimi këtë projekt, dhe faktet e dokumentuara (disa nga vet Ministria e Kulturës) del se kjo nuk është aspak e vërtetë, dhe se mjetet, lere që janë shfrytëzuar në kohë të gjitha, por, plus ka situacione të cilët edhe pse datojnë nga viti i kaluar, të njëjtat ende nuk janë paguar nga Ministria e kulturës, siç janë:

Situacioni nr. 5, me një kosto prej 34.992.614 denar, pret të paguhet nga Ministria e Kulturës.

Situacioni nr. 6, 28.277.987 denarë, ende pret për tu paguar nga Ministria e Kulturës. 

Ndërsa të paguara nga e njëjta Ministri, janë faturat, (situacionet) e vitit të kaluar njëra në vlerë prej 119.682.972 denarë, dhe njëri situacion (i vitit 2016) që është paguar dhe që kap vlerën prej 13.857.000.00 denarë.

Nëse merren parasysh këto fakte, atëherë bëhet pyetja se, cilat janë ato mjete që nuk janë shfrytëzuar për ndërtimin e këtij objekti dhe sa është vlera e tyre?

Përndryshe, deri në këto momente, që nga fillimi i punëve për ndërtimin e objektit të ri, janë shfrytëzuar gjithsej rreth 2.600.000 euro.

Për të qenë korrekt deri në fund në zbulimin e të vërtetës, sipas informatave të mia brenda Ministrisë së Kulturës, kohë më parë, drejtuesi i punëve për ndërtimin e objektit të ri, aktualisht drejtor i shtëpisë së kulturës në Tetovë, Haki Fazliu, bile ka marrë një shumë të majme parash që kanë qenë për Teatrin e Shkupit dhe të cilat nuk janë shfrytëzuar nga ana e Teatrit, për ti realizuar punët rreth ndërtimit të objektit (nëse nuk është e vërtetë kërkoj nga Ministria e Kulturës që lirisht të ma demantojnë këtë informacion), gjë kjo e cila ka ndikuar që firma të kryej në kohë punët dhe të mos ketë vonesa.

Në fund, vlen të përmendet se, këto nuk janë problemet e vetme që ndodhin në kulturën shqiptare në Tetovë, si në Bibliotekën e Qytetit, I.N.Teatri i Tetovës dhe shtëpia e kulturës Iljo Anteski Smok.

Me këtë shkrim të nderuar bashkëqytetarë shqiptarë, nuk dua të fajësoj apo akuzoj askënd, (përveç atyre që kanë mizën nën kapuç) por dua që të nxis funksionarët shqiptarë në Qeverinë Gruevski, që të mendojnë pak edhe për kulturën shqiptare, e cila lihet pas dore, ose financohet me shuma qesharake, siç ishte ndihma e Verës së Kulturës Tetovare, vitin e kaluar, i cili aktivitet u financua me një shumë aq simbolike dhe qesharake sa që është turp të përmendet.

img_1230-1