“Dimri i pakënaqësisë sonë” – fraza e njohur hyrëse në veprën e Shekspirit “Rikardi III” – duket mjaft e qëlluar për përshkrimin e gjendjes së tanishme në të cilën gjendet bota muslimane dhe ndjenjës së saj të dëshpërimit, sidomos në prag të muajit të Ramazanit. Ndodhitë e fundit vetëm sa e dëshmojnë pafundësinë, “dimrin e pakënaqësisë” të shtëpisë fetare “publike”.

Kjo që ndodhi së fundmi ishte jashtë çdo arsyeje, jashtë çdo “kontrolli”. Edhe pse është e njohur se shërbimet sekrete në mënyrë “sekrete” e kanë bërë këtë shtëpi të jetë tejet “sekrete”, edhe feja është “sekret”, edhe brenda “sekret”, edhe mashtrimi “sekret”. Përpos të këqijave që nuk janë sekret, pa marrë parasysh se është harxhuar shumë që edhe ato të jenë sekret. Që të mbetet sekret gjithçka është harxhuar: nderi, besimi, njerëzia, edhe pasuria e myslimanëve, diçka “e re” në këtë rast është sjellja e gjykatës – që ishte jashtë çdo gjëje. Pastaj duhet ta dimë se çdokush që mundohet të futet me dhunë dhe keqpërdorim në këtë institucion do të jetë për çdoherë zullumqar dhe injorant (dhalumen xhehula). Faktikisht, fetarisht i “vdekur”! Kjo ma përkujtoi një rast kur një “njeri” bën “njoftimin” se dëshiron ta shesë Urën e Gallatës në Stamboll!

Në këtë shtëpi kanë ndodhur gjëra që vetëm një Zot i di. Zullumi i fshehur dhe i hapur ka qenë “ushqimi” kryesor brenda saj. Dhe, kjo ka qenë edhe arsyeja që shërbimi sekret jo vetëm që i ka kryer “punët” e veta, por edhe është tallur me këtë shtëpi, me fajin e “reizave” dhe hoxhallarëve. T’jua përkujtoj se para më shumë se 45 vitesh, në kohën që diçka e tillë ishte e pamundur, ndodhi një incident – u hodh një bombë para kësaj shtëpie – dhe ai rast sot e kësaj dite ka mbetur i “pazbuluar”. Më kujtohet se krisma ishte aq e madhe, saqë u shqetësuan disa mëhalla të Shkupit. Pastaj, pas vdekjes së hfz. Bedriut, që ishte në krye të saj, u krijua një shqetësim i madh se kush do të emërohej për udhëheqës të kësaj shtëpie. Atëbotë në garë me Tahsin Tevfikun fitoi Jakub Selimovski. Këtë rast në mënyrë të detajuar ma ka treguar një funksionar i lartë shtetëror i asaj kohe, që sot është i pensionuar – Fahri Kaja. Faktikisht, këtë shtëpi fetare “publike” nuk mbeti kush nuk e “përdhunoi”: kulturalisht dhe fetarisht, ndërsa ushqimi kryesor mbetën zullumi dhe fitneja. A nuk është dëshmi për këtë edhe kjo që ndodh në prag të Ramazanit?!?

Shumë raste kanë mbetur të fshehura, për arsye se nuk kemi mundësi t’i dëshmojmë: si mund të dëshmohet dyfytyrësia dhe amoraliteti që mbretëron nën petkun e “çallmës”? Feja çdoherë e ka përjetuar zullumin më të madh nga munafikët. Nuk më harrohet rasti kur një njeri para disa vitesh me dhunë u fut në dhomën e Kryetarit të atëhershëm dhe iu vërsul fizikisht, e më pas po këtij personi iu shfaq fotografia në ballinën e një gazete. Një shoku im, hafiz Xhemaili, para 19 vitesh, diku nga mesnata u sulmua mizorisht nga 5 “specijallca”, duke i shkaktuar plagë në kokë – “gabimisht”. Mua po në këtë shtëpi “publike” një djalë i çmendur më sulmoi me armë. Në një rast tjetër një grup i madh prej disa vetash me maska, por duke folur shqip, u futën në Fakultetin e Shkencave Islame, aty ku mbante mbledhje Kuvendi i Bashkësisë Fetare Islame dhe i shkrepën disa plumba. Për këtë rast e informova me një shkresë kryeministrin e asaj kohe, Buçkovski, por gjithçka u hesht. Po ashtu kisha kërkuar mbrojtje nga Ministria e Brendshme që të dërgonte policë, por ata në atë moment që ata largohen, këta futen brenda. Nuk kishte tubim ku Kryetari i atëhershëm nuk merrte kërcënime, madje të organizuara nga persona që ishin nëpunës të këtij institucioni. Po ashtu ndodhi bojkoti i studentëve në Fakultetin e Shkencave Islame ….. Dhe, gjatë gjithë asaj kohe thiu ishte në mesin tonë. Kështu ndodh kur udhëhiqet diçka nga “peshkatari (në këtë rast gjuetari) i shpirtrave njerëzorë”.

Ne nuk kemi mundësi ta kuptojmë një gjë të tillë, sepse kjo i kalon përmasat e çdo gjëje. Në kohërat e mëparshme janë kërkuar përgatitje të veçanta për atë se kush ka mundësi të jetë teolog; këtë e kanë bërë të gjitha fetë qiellore, si duket përveç muslimanëve. Ne nuk shikojmë se kush duhet të jetë talebe i fesë islame, si duhet të ngrihet, rritet e zhvillohet feja. Feja islame, madje, edhe kurbanin si të tillë e kërkon të plotësuar, kurse ne hoxhë e bëjmë vetëm atë që di të flasë, të ulërijë dhe ta marrë formën e një “el arabijju esheddu kufren ve nifaka”. Ne e kemi stërmbushur Medresenë me nxënës që kanë familje me sfond të zbrazët fetar, kulturor e shpirtëror. E pastaj si të mos ndodhin gjëra të tilla? Ky incident, edhe pse nuk është pari, e kam frikë se nuk do të jetë i fundit. A nuk është ky rast dëshmi për këtë?!? Ku është truri i ri fetar që të ketë përgjegjësi ndaj kësaj shtëpie dhe të mos lejojë nënçmimin dhe përdhosjen e të gjitha vlerave? Kështu ndodh kur përzihet natyrshmëria dhe jonatyrshmëria në krijimin e personalitetit të ardhshëm të këtij institucioni.

Fjalori ekzistues dita-ditës është duke e futur në humnerë institucionin fetar. Në këtë kohë kur kanë heshtur edhe filozofia, edhe psikologjia, kjo nga dhuna që është duke iu bërë njeriut, njeriu kurrë nuk ka qenë më i robëruar sëç është për momentin. Sot nuk bisedohet për nderin dhe drejtësinë, por sot bisedohet për fuqinë dhe zullumin. Sot shitet dhe blihet gjithçka. Sot mashkulli bëhet femër dhe femra bëhet mashkull. Sot jetohet edhe me kukulla në vend të njerëzve, madje edhe në vendet më të zhvilluara. A e dini arsyen pse? Ngaqë njeriu është bërë i padurueshëm. Pse i padurueshëm? Për arsye se e ka harruar Zotin. Kështu kanë thënë fetë qiellore, kështu thotë urtësia e lartë dhe e thellë, kështu thonë nëna dhe babai në prag të vdekjes. Për këtë kërkohet shtëpi fetare shumë e fortë, shumë e pastër, shumë e edukuar, e lartësuar moralisht, e ndriçuar nga nuri i Kur’anit, fesë dhe Islamit, që ne për fat të keq nuk jemi duke e parë. Fytyrat e fetarëve, respektivisht edhe të hoxhallarëve, janë shndërruar tamam siç ka ndodhur edhe para Islamit në thirrjen “bëhuni majmunë!”

Fëmijët tanë, prindërit tanë, nuk meritojnë një dënim të tillë nga ata që i thonë vetes se kanë përgjegjësi institucionale. Ata presin bashkim, vëllazërim, devotshmëri, sinqeritet, dashuri – jo këso uzurpime dhe shkatërrime e nënçmime. Për këtë jemi fajtorë të gjithë ne, për arsye se për momentin jemi duke e përkrahur të keqen dhe me të keqen jemi duke rënë dhe duke u ngritur. Me vite të tëra vazhdon kjo dyfytyrësi. Ky mashtrim është një hije që rrotullohet mbi kokën e besimtarëve tanë e do të ishte e pamundur, jonjerëzore që ne të mos vërejmë diçka të tillë. Kërkoj ndjese vetëm nga ata që nuk janë të tillë.

Teologët kanë pasur mjaft kohë që të marrin ibret nga e kaluara. Në kohën e komunizmit e kishim sistemin që “pengonte”, “prishte”, “shkatërronte”, fëlliqte dhe njolloste çdo gjë të mirë, duke filluar që nga njeriu e deri te feja, ndërsa sot kemi një proces demokratik dhe nga ne varet se si do ta kuptojmë, shfrytëzojmë dhe adaptojmë atë me realitetin. Ne nuk kemi të drejtë t’u lëshohemi stuhive dhe aventurës së mendimit, duke përdorur sjelljet e mëparshme brenda shtëpisë fetare. Ne nuk ka nevojë t’i frikësohemi njeriut joekzistues për të cilin nesër, pas vdekjes, askush nuk do të flasë fjalë të mira, e as që do t’i lexojë “Fatiha”, por vetëm do ta mallkojë. Kjo nuk vlen vetëm për të, por edhe për ata të cilët nuk kanë punë tjetër përpos se të përhapin “informata” dhe të krijojnë hapësirë aq të rrezikshme për ta detyruar çdo njeri të mençur të largohet nga përgjegjësia e këtij posti. Ky institucion është emanet i shenjtë për të gjithë ne, e sidomos për teologët, andaj të gjithë kemi jo vetëm nevojë, por edhe detyrim ta ruajmë atë, të përgatitemi që t’ia zbardhim fytyrën dhe të dëshmojmë se teologët nuk janë lodra, por njerëzit më të çmuar të popullit tonë. Kjo mund të bëhet vetëm atëherë kur do të zgjedhim kryetar të mirë, të drejtë dhe të mençur, duke ia mbyllur rrugën primitivizmit, lokalizmit dhe sjelljes jo të sinqertë ndaj njëri-tjetrit.
Ismail Bardhi
Shkup,  prill 2019