Protestat e të enjtes kundër lajmit për formimin e një qeverie të drejtuar nga opozita kaluan paqësisht – por nuk është ende e qartë se çfarë do të ndodhë nëse opozita vepron ndaj kërcënimit për të formuar një qeveri të re pa lejen e parlamentit.
 

Duke kënduar këngë patriotike dhe duke valëvitur flamuj maqedonas, mijëra protestues marshuan në Shkup të enjten përpara se t’i jepnin fund protestës së tyre në vendin e zakonshëm, përpara parlamentit.

Disa madje thirrën slogane raciste si “Pastroni Maqedoninë” përpara se organizatorët e protestës t’i kërkonin të pushonin.

“Kemi qëndruar si maqedonas për mijëra vite dhe nuk do ta humbasim vendin tonë tani që e kemi,” tha 40-vjeçarja Zaneta nga Shkupi, një nga pjesëmarrëset në protestë.

“Nuk jemi kundër shqiptarëve por bërja e shqipes gjuhë zyrtare nuk është logjike; ata kanë Shqipërinë për këtë gjë,” tha ajo.

Zaneta shpërtheu në zemërim sapo dëgjoi emrin e liderit të social demokratëve në opozitë Zoran Zaev, i cili ka mbledhur një shumicë parlamentare falë marrëveshjes që ka arritur me partitë etnike shqiptare.

Presidenti Gjorge Ivanov refuzoi t’i jepte atij një mandat për të formuar qeverinë, duke pretenduar se lëshimet e bëra ndaj partive shqiptare rrezikon ekzistencën e vendit.

“[Zaev] e ka gabim nëse mendon se mund të shkëmbejë interesat kombëtar vetëm për hir të pushtetit! Ajo që ai bëri duke pranuar dygjuhësinë dhe kërkesat e shqiptarëve ishte tradhti dhe ai duhet të mbajë llogari. Ky vend ka një kushtetutë,” tha Zaneta.

“Ne po e ngremë zërin kundër federalizmit të vendit, dygjuhësisë dhe ndryshimeve të emrit,” tha 61-vjeçari Stole për BIRN, duke iu referuar kërkesave të grekëve që Maqedonia të ndërrojë emrin.

Ai tha se ishte nga qyteti Stip por erdhi në Shkup me autobus “vullnetarisht si patriot, ngaqë kishte udhëtim falas”.

Organizatorët e protestës këmbëngulin se nuk kanë lidhje me ish-partinë qeverisëse VMRO DPMNE, e udhëhequr nga Nikolla Gruevski.

Megjithatë, protestat filluan menjëherë pasi Gruevski u bëri thirrje mbështetësve të “mobilizohen” në mbrojtje të vendit, ose siç tha ai së fundmi, ” të mos rrinë duarkryq nëpër shtëpisë me pantofla”.

Organizatorët e protestave mohojnë lidhjet politike

Ashtu si VMRO DPMNE, protestuesit thonë se një qeveri koalicioni mes socialdemokratëve dhe partive shqiptare do të rrezikonte sovranitetin e Maqedonisë, si rezultat i pranimit të “platformës së përbashkët” nga Zaev.

Ndër të tjera, platforma kërkon përdorim më të madh zyrtar të gjuhës shqipe dhe një shpërndarje më të drejtë të buxhetit kombëtar përgjatë vijave etnike.

Protestuesit dhe DPMNE VMRO i kanë bërë thirrje Zaevit të kundërshtojë publikisht platformën e partive shqiptare, që sipas tyre është përgatitur në Shqipëri dhe nuk ka mbështetjen e votuesve.

Një nga organizatorët e grupit të protestuesve, bloger Bogdan Ilievski, i tha BIRN se ata ishin thjesht një nismë qytetare joformale, e përbërë nga njerëz të cilët “e kuptojnë se dikush duhet ta artikulojë pakënaqësinë ndaj asaj që po ndodh [në Maqedoni] prej shumë kohësh”.

Në 24 prill 2016, në një opinion të botuar në median pro-VMRO DPMNE, Telegraf, Ilievski argumentoi se protestat ditore kundër vendimit të Presidentit për të falur 56 politikanë, nuk ishin protesta autentike qytetare, por të organizuara nga opozita.

“Kurdo që partitë politike duan të stimulojnë një mbështetje të gjërë civile rreth ideve të tyre, duke menduar se jemi budallenj dhe të verbër, ata ngrenë skenarë nën hundët tona pas të cilave shfaqet “një iniciativë qytetare spontane”, shkroi ai.

Megjithatë, ai këmbënguli se iniciativa që ai drejton sot është diçka tjetër.

“Ndryshimi është se njerëzit që formojnë thelbin e kësaj iniciative i besojnë njëri-tjetrit dhe nuk lejojnë askënd t’i keqpërdorë synimet e tyre,” tha Ilievski, duke shtuar se “mbase koha për iniciativa autentike më në fund ka ardhur”.

Autentike apo jo, shumë anëtarë të njohur të VMRO DPMNE, si dhe krerë të ndërmarrjeve dhe institucioneve publike shpesh kanë marrë pjesë në protestë.

Mes tyre është anëtari i komitetit qendror të VMRO DPMNE, Aleksandar Florovski dhe kreu i arkivës kombëtare Filip Petrovski.

Social demokratët këmbëngulin se refuzimi i presidentit për t’i lejuar ata të formojnë një qeveri dhe protestat në rrugë janë koordinuar për të rritur tensionin në vend, që VMRO DPMNE të mbajë pushtetin dhe që liderët e saj t’ia hedhin pa u lagur nga drejtësia për shumë krime për të cilat akuzohen.

Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë në parti, e cila e ka mbajtur pushtetin që nga viti 2006, janë nën hetim nga Prokuroria Speciale, SJO, e cila u formua me ndërmjetësimin e BE-së për të hetuar krimet e nivelit të lartë, pasi opozita publikoi përgjime të bisedave zyrtare në 2015, që thuhej se implikonte shumë zyrtarë të qeverisë në shkelje të ndryshme.

Frikë për dhunë të mundshme

Në koincidencë me fillimin e protestave, një seri incidentesh, përfshirë sulmet fizike dhe verbale ndaj gazetarëve, anëtarëve të OJQ-ve dhe kritikëve të tjerë të VMRO DPMNE, kanë rritur frikën për tension dhe madje edhe dhunë.

Javën e kaluar, një gazetar dhe një kameraman nga media A1on u sulmuan ndërsa mbulonin protestat në Shkup. Pasi organizatorët e protestës nuk e dënuan incidentin, shumë media përveç atyre shtetërore dhe pro-qeveritare, ndaluan së mbuluari protestën në shenjë kundërshtimi.

Ndërsa organizatorët e protestës në tubimin e të enjtes në Shkup njoftuan se protestat e tyre vetëm sa do të bëheshin më të fuqishme dhe më të mëdha, pyetja e madhe është nëse këto protesta kryesisht paqësore mund të kthehen në të dhunshme nëse shumica e re e udhëhequr nga opozita zgjedhin një kryetar të ri dhe formojnë një qeveri e re, pa lejen e presidentit.

Ilievski këmbëngul se ai nuk tërhiqet nga kjo mundësi.

“Duke folur hipotetikisht, askush nuk mund të ndalojë askënd nga zgjedhja e një kryetari të ri parlamenti… Unë nuk do të komentoja mbi skenarët “e mundshëm”. Do t’i bëja më shumë apel politikanëve të bëjnë detyrën,” tha ai.