Cilat janë parashikimet e Bankës Botërore për ekonominë e Maqedonisë? A ka shqetësim për rritje të nivelit të varfërisë? Njeriu i parë i Zyrës së Bankës Botërore, nuk deshi të flet me numra konkretë, sidomos në prag të Raportit të detajuar që duhet të publikohet nesër mbi gjendjen ekonomike për vendet e rajonit. Numrat që shënojnë rritje duhet të dihen, por me ndryshim të situatës në terren ndryshohen edhe raportet, deklaroi Masimiliano Paoluçi, shef i Zyrës së Bankës Botërore në Shkup.

“E di që duhet parë numrat që po rriten, por në këtë moment gjendemi në situatë kur çdo numër në raporte mund të ndryshojë. Tendencat që i shohim tregojnë qartë se ka ulje gjithkund në botë. Ulja e eksportit dhe importet e reduktuara janë rezultat i Lock Down”, tha Masimiliano Paoluçi – shef i zyrës së Bankës Botërore.

Numrat për varfërinë në të gjithë botën po rriten çdo ditë. Sipas Paoluçit ka rrezik që rreth 88 mijë deri në 1 milionë njerëz në nivel botëror “të bien” në varfëri të thellë.

“Shtresa e mesme është goditur më së shumti. Nuk kemi numra për vendet, por kjo sërish është bërë tendencë. Intervenimet e Qeverisë janë më se të nevojshme për momentin dhe duhet t’i kenë parasysh kategoritë më të rrezikuara. Nuk jam në gjendje të flas për shifra të caktuar sa i takon varfërisë”, theksoiMasimiliano Paoluçi – shef i zyrës së Bankës Botërore.

Paoluçi shton se është mirë që pushteti ka reaguar në kohë për ta shpëtuar ekonominë. Kryeministri Zaev është optimist për tendencën në ekonominë e Maqedonisë. Ai së fundmi, lidhur me paralajmërimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar për ulje të ekonomisë për 5.4%, deklaroi se Maqedonia do të jetë vendi i parë me ndikim më të vogël negativ në rajon dhe më gjerë.

“I ndjekim parametrat. Projeksionet tona janë 4.4%. Ishin 5%, tashmë janë ulur në 4.4%, sepse presim që masat ta mbulojnë uljen prej 0.6%”, deklaroi Zoran Zaev – kryeministër.

Si do të tejkalohet zbrazëtia në Buxhet kur para ka gjithnjë e më pak? Afaristët paralajmërojnë se në të ardhmen nuk do të mund të marrin hua kur do të duan, prandaj duhet të jenë të kujdesshëm gjatë shpenzimit dhe huamarrjes. Ndryshe, sot Ministria e Ekonomisë me ndihmë të ekspertëve të Bankës Botërore dhe mbështetjes financiare nga Ambasada e Britanisë së Madhe, e përpiluan projekt-ligjin e parë për partneritet publiko-privat në vend. Ky ligj synon të kontribuojë për zhvillimin socio-ekonomik përmes nxitjes së konkurrencës, investimeve, tregtisë dhe inovacioneve teknologjike.