Kreu i komunës së Tearcës dhe Ministri i Ekologjisë Nurhan Izairi, vazhdojnë edhe më tej të premtojnë ujin për banorët e Nerashtit duke thënë se është çështje ditësh lëshimi në përdorim i ujësjellësit të ri. Punimet kanë përfunduar, por mos lëshimin e ujit nga komuna e arsyetojnë me stinën e dimrit gjë që ka ngritur dyshimet se kjo nuk bëhet para pranverës apo se projekti do të shfrytëzohet edhe për fushatë zgjedhore.

“Është çështje dite, pasi që jemi në periudhën dimërore. Me përmirësimin e kushteve klimatike në një të ardhme të afërt në bashkëpunim me Ministrin e ambientit jetësor dhe neve si komunë do e bëjmë përurimin zyrtarisht. Ajo që është me rëndësi, një çështje e kamotshme problematike që ka qenë uji i pijes për atë vendbanim është zgjidh”, tha Isen Hasani, kryetar i komunës së Tearcës.

“Uji i pijshëm për fshatin Nerasht tanimë është në funksion, por çështja se kur do e bëjmë hapjen oficiale është çështje më tepër festive kurse ajo funksionale tanimë është e kryer dhe qytetarët pas shumë e shumë vitesh pinë ujë”, Nurhan Izairi, ministër i ekologjisë.

Por, edhe pse nga Komuna dhe Ministria deklarojnë se çështja e ujit të pijshëm në Nerasht është zgjidhur, e njëjta rezulton të jetë zgjidhur vetëm parcialisht, pra projekti nuk mund të qyhet i përfunduar pa rregullimin e rrjetit sekondar të ujit, projekt ky i cili sipas premtimeve të komunës, pritet të ndërtohet vitin që vjen./Alsat-M

uji tearc