U bënë 10 vjet që kur Kosova ka nisur negociatat me Komisionin Evropian për heqjen e vizave. Sot, ende qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në Evropë, pavarësisht se shteti i ka përmbushur kriteret për liberalizim, e se ky komision ka përkrahur një gjë të tillë.
Negociatat u nisën më 19 janar 2012. Vendi, pos kritereve të zakonshme, u përball edhe me disa të tjera shtesë. Ndër më në zë ishte çështja e demarkacionit me Malin e Zi, që u përmend vazhdimisht si kusht për liberalizim vizash.
Me periudhën 10-vjeçare që kur kanë nisur negociatat, Kosova ka kaluar periudhën më të gjatë në rajon në këtë status-quo. Përderisa as 10 vjet s’kanë mjaftuar për Kosovën, Gjeorgjia ishte shteti tjetër që për më së gjati ka ngelur në situatën e njëjtë – për katër vjet.
Për dallim nga Kosova, Shqipërisë e Bosnjës u janë dashur nga tre vjet, ndërsa Maqedonisë, Malit të Zi e Serbisë nga dy vjet, sipas një grafike të postuar nga Instituti Epik.