Shumë zona malore mbeten të izoluara nga bora

5 ditë pas reshjeve të fundit të borës, edhe më tej ka vendbanime të izoluara. Ekipi i televizionit Alsat tentoi të arrijë në fshatrat e Malësisë së Shkupit, por nuk pati sukses.

 

Pa xhip dhe zinxhirë është e pamundur që të arrihet në fshatin Majancë të Shkupit. Banorët thonë se janë të revoltuar ndaj institucioneve kompetente, pasi deri më tani askush nuk ka ardhur t’i vizitojë e as që t’ua pastrojë rrugën.

Vetëm një pjesë e vogël e rrugës për në Majancë është pastruar nga bora, ndërsa pjesa tjetër apo vendet më kritike janë të mbuluara me shtresë të trashë të akullit dhe vozitja drejt këtij fshati është e rrezikshme. Banorët të cilët e kanë patjetër të largohen nga Majanca, ecin në këmbë disa kilometra që të arrijnë deri në Haraçinë.

Përveç këtij fshati ndihmë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim kanë kërkuar edhe nga fshati Gurgurnicë i Tetovës, nga Tanusha, disa fshatra nga Lazaropolja, ndërsa ndërhyrje ka pasur në Likovë dhe Goshincë të Kumanovës, më saktë në pjesën kufitare me Kosovën. Për shkak të kompetencave të pakufizuara se kush duhet të pastrojë borën, fshatrat Brezë Malinë dhe Tanushë edhe më tej mbeten të bllokuar.

Ekrem Zendeli ,zv. drejtor i DMSH-së apeloi që qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të mos udhëtojnë pa nevojë, sidomos nëpër pjesët malore.

Verica Pavlovska