Prokurorisë Speciale Publike i kanë mbetur edhe gjashtë muaj për të ngritur padi penale kundër funksionarëve që dyshohen për vepra penale sipas të ashtuquajturave “bomba të opozitës”. Për një pjesë të analistëve, Prokuroria Speciale duhet të vazhdojë së funksionari edhe pasi t’i përfundojë mandati.

“Le të dorëzojnë padi penale në mënyrë që rastet të procesohen sepse kaluan një vit e katër muaj, ndërsa janë dorëzuar vetëm 2 padi penale të cilat vazhdojnë të jenë në procedurë. Mendoj se kjo është pak. Nuk jam nga ata që thonë se puna e Prokurorisë Speciale duhet të ndërpritet. Në fund të fundit, kanë mbetur edhe 4 muaj… po le të shohim se çfarë do të ndodhë për këto muaj”, tha analisti Sotir Kostov, për TV21.

Mandati i PSP-së pas Vitit të Ri është në duart e përbërjes së re parlamentare, pasi përbërja e kaluar e hodhi poshtë propozimin e LSDM-së që asaj t’i vazhdohet mandati për të dorëzuar padi. Partitë shqiptare por edhe opozita maqedonase kanë qëndrim të njëjtë rreth prokurorisë speciale, gjegjësisht për vazhdimin e mandatit prej 18 muajve.

Edhe pse BDI-ja paralajmëroi se do t’i mbështesë ndryshimet për Ligjin e PSP-së, shumica e deputetëve të kësaj partie nuk ishin të pranishëm në seancë kur u votua për vazhdimin e mandatit. Nga ata që ishin të pranishëm, megjithatë disa prej tyre e mbajtën fjalën dhe votuan pro ndryshimeve të Ligjit. Deri tani, në periudhë prej një viti, PSP hapi 9 raste hetimore dhe dorëzoi 2 aktakuza kundër qindra personave.